UBT News

​Sindikata e Shërbimit Korrektues kërkon shtesa në paga, ndryshe paralajmërojnë protesta

Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e shtesave në pagë për policët ka ngjallur reagimin e Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilët po kërkojnë që një shtesë të tillë ta marrin edhe ata.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj tha se është e pakuptimtë që ata sërish nuk do të marrin shtesa, derisa thekson se nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e institucioneve ata do të protestojnë.

“11milionë euro janë ndarë për shtesa në pagë për ata që bartin barrën kryesore në menaxhimin e pandemisë. Në këtë ndarje siç po shihet Shërbimi Korrektues nuk është i përfshirë fare, për ne është e pakuptimtë që stafi mjekësor dhe policia po e ne jo. Disi po e kuptojmë për vitin 2020, por për vitin 2021 sipas nesh nuk ka justifikim mospërfshirja jonë në këtë pako”, tha ai.

Sadikaj tha se kërkojnë që edhe Shërbimi Korrektues të përfshihet në marrje e shtesave, në të kundërtën ai thotë se pakënaqësinë e tyre do ta shfaqin edhe me protesta.

“SHKK, njëri ndër agjencionet e sigurisë në impakt direkt të sigurisë nacionale, pavarësisht qasjes direkt në parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe trajtimit të personave me COVID 19 (të dënuar dhe te paraburgosur), në institucione korrektuese, në QP dhe shoqërimit dhe mbikëqyrjes në spitale, nuk jemi të përfshirë në këtë ligj shprehimisht. Siç përcaktohet me ligj kërkojmë që edhe SHKK si institucion shtetëror i sigurisë, i angazhuar në betejën kundër pandemisë COVID-19, të jemi pjesë e kompensimeve shtesë. Sepse qasja jonë është direkte në menaxhimin e pandemisë, si personel korrektues që punojmë 24 orë pa ndërprerë sipas planit operativ kundër pandemisë COVID-19. Këtë e shpjegojnë edhe të dhënat e gjendjes me pandeminë në institucionet korrektuese në Kosovë. Prandaj mospërfshirja e zyrtarëve korrektues, e stafit mbështetës dhe administrativ në këtë ligj, do të jemi të detyruar të shfaqim pakënaqësinë tonë me protesta të cilat do të organizohen nga Sindikata e PSHKK”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka bërë publike sot masat e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021, ku masa 6 është “sigurimi i shtesës mbi pagë për sektorët që bartin barrën kryesore në menaxhimin e pandemisë, për punëtorët e këtyre sektorëve në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërsëdrejti rrezikut të infektimit me COVID-19 në punën e tyre (jo i gjithë stafi i këtyre institucioneve), do të ndahen mjete në shumë 11,000,000 € (njëmbëdhjetë milionë euro)”.

Exit mobile version