Ndonëse sot institucioni i Policisë së Kosovës po e shënon 23-vjetorin e themelimit, pjesëtarët policorë ende nuk gëzojnë sigurimet shëndetësore.
E ky 23 vjetor policët po i gjen edhe pa Ligjin për pensionim të parakohshëm, një kërkesë e kamotshme e tyre.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tha se në rast se Qeveria e Kosovës nuk vepron sa i përket kërkesave të tyre për Ligjin e pagave do të ndërmarrin veprime sindikale.
Ai tha se Policia e Kosovës duke qenë me moshën më të shtyrë në rajon ka nevojë të madhe për Ligjin për pensionim të parakohshëm.
Sipas tij, ky ligj ndonëse i finalizuar ende nuk është dërguar në Kuvend përkundër zotimit të Qeverisë së Kosovës se kjo do të ndodh shpejt.
“Jemi policia e vetme në botë që nuk ka sigurim shëndetësor, jemi Policia me moshën më të shtyrë në rajon që mosha mestare ka arritur moshën 47-vjeçare dhe ende nuk është dërguar dhe ka qenë i premtuar nga kjo Qeveri që të dërgohet në Kuvend për miratim një draft-ligj i cili është përpunuar dhe është gati veç i finalizuar për pensionim për moshën 55-vjeçare. Arsyeja e vetme është se zyrtari policor pas gjithë këtyre sfidave që i bënë gjatë shërbimit duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e vet kur e arrin moshën 65-vjeçare është pa pension, po e them pa pension me plot kuptimin e fjalës”, theksoi Zeqiri.
Kryesindikalisti i PK-së theksoi se zyrtarët policorë të Kosovës janë të vetmit në botë që nuk kanë sigurime shëndetësore.
Sipas tij, ofrimi i sigurimeve shëndetësore nuk është kosto e papërballueshme për buxhetin e vendit.
“ E vetmja Polici në botë pa sigurime shëndetësore për këtë unë kam adresuar një kërkesë tek ministri i Punëve të Brendshme zotëri Sveçla e kam biseduar me të dhe pasi që e patëm situatën siç e patëm me marrëveshjet që janë politike dhe ne jemi institucion i sigurisë na është kërkuar një kohë që të bisedojmë për këtë çështje. Unë besoj që nuk është një shumë e papërballueshme për Qeverinë që t’i bëjë zyrtarët policor me sigurim shëndetësor një shumë rreth 4,5 milionë euro në vit. kështu që kjo do të ishte nder jo vetëm për Policinë, jo vetëm nevojë e jashtëzakonshme por edhe nder për qeverinë që t’i bëjë me sigurime shëndetësor pas 23 vitesh”, theksoi ai.
Zeqiri adresoi kritika dhe vërejtje edhe për Ligjin e pagave i cili është në konsultim paraprak. Sipas tij, në këtë ligj nuk është përcaktuar ende vlera e koeficientit për zyrtarët policorë.
“Pakënaqësia e Sindikatës së Policisë tek ky draft-ligj i cili është ofruar për diskutim publik është sepse vlera e koeficientit ende nuk është caktuar, prandaj neve po trajtojmë apo na është ofruar diçka figurativisht po e them në treg pa çmim… Kjo është ajo pakënaqësia e parë sepse në Ligjin e Pagave duhet të caktohet vlera e koeficientit. Nuk jemi të kënaqur me krahasim me nivelet tjera të punësuarve me koeficientet aktuale. Pse për shembull ne jemi gati në secilën gradë dy koeficiente më pak se FSK-ja pse mos të jemi barazi me FSK edhe ne jemi institucion i sigurisë edhe ata me shumë respekt për FSK-në por neve jemi bartësit kryesore të sigurisë… Pakënaqësi tjetër është se në këtë ligj shkruhen se pas publikimit në gazetën zyrtare ligji do të hyjë në fuqi pas 8 muajve pse pas 8 muajve, cila është arsyeja”, theksoi kryetari i Sindikatës së Policëve të Kosovës.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tha se aktualisht kanë ofruar dialog social për Qeverinë lidhur me pakënaqësitë e tyre për Ligjin e ri të pagave në të kundërtën paralajmëron edhe veprime sindikale.
“Do të ulemi që të bisedojmë çdo detaj rreth këtij projektligji dhe si çdo sindikatë edhe neve nëse na detyrojnë me shkua me ndërmarrë hapa sindikal do të ndërmarrim, por aktualisht e kemi shpallë qeverisë dialog, mirëkuptim dhe dhashtë Zoti dhe po shpresoj se nuk na shtyjnë në atë fazën që edhe ne si Sindikatë të kalojmë në radikalizëm… Ne duhet të veprojmë nëse jo me mirëkuptim atëherë do të veprojmë edhe me veprime sindikale”, u shpreh Zeqiri.
Lidhur me sulmet ndaj zyrtarëve policorë, Zeqiri u shpreh se toleranca e organeve të drejtësisë karshi kryerësve të këtyre veprave penale, po i rritë edhe më shumë sulmet ndaj tyre.
“Në vazhdimësi neve po na sulmohen zyrtarët policor dhe këtu kam adresuar kërkesën tek organet e drejtësisë ngase toleranca ndaj organeve të drejtësisë ndaj kryesve të këtyre veprave apo ndaj të dyshuarve që po bëjnë sulm ndaj zyrtarëve policor disi po i motivon këta të dyshuar, ndryshe kam thënë se e vetmja preventiv për parandalimin e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë është që organet e drejtësisë të veprojnë sipas ligjit”, deklaroi kryesindikalisti, Zeqiri.
Ndërsa krerët shtetërorë, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti lavdëruan punën e Policisë së Kosovës me rastin e shënimit të 23-vjetorit të themelimit.
Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244 ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës e cila gjeneratë numëro 176 pjesëtarë. Aktualisht, Policia e Kosovës numëron rreth 9 mijë punonjës.