UBT News

​Shtyrja e vendimit për targat, Haradinaj: Kurti me urgjencë ta pranojë kërkesën e ShBA-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka dërguar letër me tri kërkesa shefit të ekzekutivit, Albin Kurti. Haradinaj i ka kërkuar Kurtit që me urgjencë të pranojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale. Po ashtu, Haradinaj ka kërkuar që të mos merret asnjë veprim që rrezikon sigurinë e vendit, pa koordinim me Amerikën.

Kreu i AAK-së në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka folur për letrën drejtuar kryeministrit Kurti.

“Iu kam drejtuar me letër kryetarit të Qeverisë të Kosovës, zotëri Kurtit si vijon: I kam kërkuar që me urgjencë të pranojë kërkesën e Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar dhe të ndërpriten të gjitha veprimet për zbatimin e vendimit në fjalë. Njëkohësisht i kërkojë kryetarit të qeverisë në këtë letër që deri në marrëveshjen finale, të mos ndërmerr asnjë veprim që e rrezikon sigurinë e vendit në cilën do pjesë të tij, pa koordinim në plotëni me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Haradinaj.

Në letrën me tri kërkesa, Haradinaj thekson se kërkohet që Kurti të vendosë kontakt me këshilltarin nacional për siguri të presidentit të ShBA-së, Joe Biden.

“Po ashtu, i kam kërkuar kryeministrit të vendosë kontakt me këshilltarin nacional për siguri të presidentit Biden, Jake Sullivan për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që çtensionojnë situatën aktuale të sigurisë në rajon, deri në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke. Pra, janë këto tri kërkesa në letër të cilat vijnë pas shqetësimit për situatën në veri dhe situatën e sigurisë në brezin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar Haradinaj.

Exit mobile version