UBT News

​Shtyhet shqyrtimi i nismës legjislative për komisonerin për FSK-në

Nisma legjislative për komisionerin parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të shqyrtohet në një tjetër mbledhje të komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Kjo është vendosur me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët nuk kanë qenë të gatshëm të marrin vendim ani pse kjo nismë ishte paraparë të shqyrtohej në mbledhjen e sotme.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka thënë se raporti është kryer nga grupi punues por meqë sot kërkohet vendimmarrja ai ka propozuar që të shtyhet për një mbledhje tjetër.

“Unë po konsideroj që nuk janë plotësuar kushtet për shkak që grupi parlamentar po kërkon që me shty për një mbledhje tjetër për shkak se nuk jemi në gjendje qe të marrim ndonjë vendim”, ka thënë Dugolli.

Ndërsa deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka thënë se grupi i punës e ka përfunduar punën dhe se rekomandimet janë të gatshme.

“Nuk prish punë nëse për një javë e shtyjmë megjithëse grupi e ka kryer punën, ne e kemi raportin dhe rekomandimet janë të gatshme”, ka thënë ai.

Shqyrtimi dhe vendimi për këtë nismë legjislative është vendosur të bëhet në mbledhjen e radhës të komisionit.

“Po e presim grupin parlamentar të Vetëvendosjes për me u koordinu edhe këta në mënyrë që takimin e ardhshëm të jemi të gatshëm që të procedojmë”, ka thënë kryetari i komisionit, Bekë Berisha.

Tutje, deputetët kanë diskutuar për planin e punës së komisionit dhe shtimin e aktiviteteve, ndër të tjera edhe për të ftuar në raportim zyrtarë të institucioneve të sigurisë.

Deputeti Fatmir Humolli ka thënë se institucionet duhet të kujdesen për strehimoret të cilat mund të shërbejnë në rast nevoje.

“Po besoj na deputetët kemi mundësi në mënyrë të organizuar më i vizitu të gjitha institucionet tona me përjashtim gjykatën e Hagës që nuk mundemi me vizitu për shkak që është gjykatë jashtë vendit. Unë kisha kërku që Ministria e Infrastrukturës për shkak të mundësive dhe nevojave me pa institucionet tona sa janë të kujdesshme për strehimore dhe kam përshtypje për strehimore nuk kujdeset askush në Kosovë”, ka thënë Humolli.

Ndërsa deputeti Rashit Qalaj ka shtruar një tjetër temë, por e cila u diskutua me dyer të mbyllura pa praninë e mediave në sallë.

Exit mobile version