Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka dalë me një sqarim rreth raportimeve për largimin e dy personave të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit që ndodhi të martën në një lokal në Ferizaj.
Për në Turqi janë dërguar dy persona nga pesë të tjerë sa ishin duke u trajtuar në Klinikën Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ndërsa dy të tjerë për të cilët u raportua se u larguan nga lista për dërgim në Turqi, do të trajtohen në QKUK përshkak të shkallës më të vogël të djegies.
“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ju njofton se, 2 personat e djegur, si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në qytetin e Ferizajt, nuk janë larguar nga lista për dërgim në Turqi, por do të trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të shkallës më të vogël të djegies. Katër pacientë, që janë vlerësuar nga profesionistët shëndetësorë, që janë në gjendje më të rëndë, në bazë të sipërfaqes dhe shkallës së djegies, janë dërguar në qendër të specializuar për trajtimin në Turqi. Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kanë vepruar konform konsultave me mjekët profesionistë të fushës dhe nuk e kanë hequr askënd nga lista për trajtim jashtë vendit. Rastet e kësaj natyre (me shkallë më të vogël të djegies)janë trajtuar në QKUK për 20 vjet me radhë, në mënyrë profesionale dhe me sukses të plotë. Dy pacientët në fjalë, bashkë me pacientët tjerë të lënduar, po marrin trajtimin e vazhdueshëm mjekësor nga profesionistët shëndetësorë të QKUK-së. Në bazë të vlerësimit të gjendjes nga profesionistët shëndetësorë, do të shikohet mundësia që edhe këta dy pacientë të dërgohen jashtë vendit për trajtim”, thuhet në komunikatën nga ShSKUK.