UBT News

​Shqipëria hap negociatat, Varhelyi: Do të punojmë në fushën e shtetit ligjor

Komisionari për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, ka thënë se takimi i sotëm jep sinjalin e fuqishëm politik të angazhimit të BE-së për procesin e anëtarësimit. Ai ka thënë se do të fillojnë të punojnë me Shqipërinë në fushën e shtetit ligjor, duke theksuar se Bashkimi Evropian nuk do të tërhiqet nga kërkesat në këtë drejtim.

Në një konferencë për media, Varhelyi ka thënë se mesazhi i tij për qytetarët e Shqipërisë është se Bashkimi Evropian i do brenda familjes evropiane.

“Sipas metodologjisë së re, klasteri i parë që do të hapet dhe i fundit që do të mbyllet është shteti ligjor, pra do të fillojmë të punojmë në fushën e shtetit ligjor dhe dukshëm gjendja e gjyqësorit do të diskutohet, vetëm mund t’iu konfirmoj se ne nuk kemi për t’u zmbrapsur në kërkesat tona, që do të thotë se duhet të ketë prova që ka raste që duhen zgjidhur dhe këto duhen zgjidhur”, ka thënë ai.

E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se negociatat janë një instrument transformimi i përditshëm.

“Negociatat për anëtarësim janë në vetvete një instrument transformimi i përditshëm, arsyeja pse i kemi kërkuar me kaq ngulm natyrisht ka të bëjë me objektivin për të shkuar në anëtarësim të plotë por ka të bëjë njëkohësisht me faktin që negociatat janë një transferim dije i pazëvendësueshme dhe që nuk e gjen dot në asnjë realitet tjetër të botës politike. Për këtë arsye komisioneri e nënvizoi dhe duhet ta kemi parasysh që çdo hap në negociata, duke nisur nga çdo kërkesë e negociatave, përben një vlerë të shtuar dhe një mundësi të re për të çuar përpara gjithë aspektet e jetës së vendit”, ka thënë Rama.

Rama është pyetur pse nuk e ka pranë ndonjë përfaqësues të opozitës në këtë ditë të rëndësishme.

“Formati i përcaktuar nga komisioni për gjithë trupën që do të përfaqësonte Shqipërinë në tryezë natyrisht që mund të kishim kërkuar një ndryshim për të ftuar një përfaqësues apo edhe më shumë se një nga ana e opozitës por kemi një problem që nuk është një problem i Brukselit dhe nuk është problem për t’u trajtuar në Bruksel, që ne nuk dimë se kush është kush në anën e opozitës”, ka thënë Rama.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, Jan Lipavsky ka thënë se ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka qëndruar pranë në kohë të vështira dhe jam i kënaqur që sot kjo pritje ka mbarur për të dyja shtet. Jam i gëzuar që ky çast historik po zhvillohet gjatë presidencës ceke… Vendet e Ballkanit Perëndimor prite të zotohen ndaj vlerave evropiane si anëtar të ardhshëm të BE-së. Ne mirëpresim harmonizimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe inkurajojmë Shqipërinë që të vijojë të harmonizojë plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, ka thënë ai.

Ministri çek ka thënë se Shqipëria duhet të vazhdojë zbatimin e reformave në gjyqësor dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Exit mobile version