Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një 34-vjeçar, pasi ka shpërndarë video dhe foto me përmbajtje pornografike të fëmijëve.
I dyshuari, sipas policisë, përmes rrjetit social Facebook dhe aplikacionit WhatsApp, i ka shpërndarë këto përmbajtje duke abuzuar njëkohësisht me këta fëmijë.
Një veprim i tillë është i sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës ku dënimi është nga një deri në pesëmbëdhjete vite burg, varësisht nga forma e kryerjes së veprës penale.
“I dyshuari mashkull (1988) është arrestuar nga Policia dhe pas intervistimit me aktvendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore, Kjo dukuri negative e shfaqur në vendin tonë dhe më gjerë, e cila ka të bëj me materialet me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve në internet është tepër shqetësuese. Persona të ndryshëm, kryesisht të moshave të reja, i shpërndajnë këto materiale që përmbajnë video dhe fotografi ku abuzohen seksualisht fëmijët e paidentifikuar. Këto fotografi dhe video i shpërndajnë përmes rrjeteve të ndryshme sociale (Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok etj.). Kjo dukuri është mjaft shqetësuese për vet faktin se kemi të bëjmë me shtresën më të ndjeshme të shoqërisë. Gjithashtu, një gjë e tillë i ri-viktimizon të gjithë ata fëmijë të abuzuar, edhe pse të paidentifikuar”, thuhet mes tjerash në njoftimin e PK-së.