Shoqëria civile konsideron të domosdoshme që të miratohet Projektligji për financimin e subjekteve politike. Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë sot këtë projektligj, ndërsa është hera e tretë, përkatësisht legjislatura e tretë me radhë, në të cilën ky projektligj kalon nëpër procedurë në parlament.
Organizatat e shoqërisë civile KDI, D4D, D+, FOL dhe Çohu në një konferencë të përbashkët për media lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për financimin e subjekteve politike konsideruan se zvarritja e mëtutjeshme e këtij projektligji do të minojë besimin e publikut mbi partitë politike, sidomos për paratë që ato marrin nga buxheti i shtetit dhe për donacione të shumta që ato marrin veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore.
Eugen Cakolli nga KDI ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike, pozitë dhe opozitë, që të arrijnë një konsensus për miratimin e këtij projektligji, teksa shtoi se kundërshtimet që mund të kenë partitë politike në aspekte të caktuara të projektligjit do të duhej të bëheshin në amendamente në mes të dy leximeve.
“Dështimi për shqyrtimin dhe miratimin e këtij ligji projektligji tejet të rëndësishëm për vendin ka cenuar vazhdimisht transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike, të cilat marrin çdo vit mbi 4.2 milionë euro nga paratë e buxheti të shtetit. Për më tepër, mosmiratimi i këtij projektligji bie ndesh edhe me obligimet që Kosova ka marrë për procesin e saj integrues përkatësisht në agjendën e reformave evropiane”, theksoi ai.
Cakolli shtoi se projektligji i ri adreson të gjitha problemet që ndërlidhen me transparencën dhe llogaridhënien.
“Projektligji i ri për financimin subjekteve politike adreson në masë të madhe të gjitha problemet që ndërlidhen me transparencën dhe llogaridhënien financiare. Së pari dhe çështja më e rëndësishme është çështja e auditimit të raporteve financiare të subjekteve politike që duke u bazuar në përvojën e deritanishme, për shkak të dështimeve të Kuvendit për të zgjedhur auditorë të duhur, për vite të tëra nuk ka pasur auditim në kohë të financave të partive politike. Me projektligjin e ri, kompetenca e auditimit kalon nga Kuvendi tek Zyra për Regjistrimin e Subjekteve Politike dhe Certifikim, zyrë kjo e cila do të gëzojë një pavarësi më të madhe financiare, por edhe funksionale, brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, u shpreh Cakolli.
Po ashtu me projektligjin e ri, Cakolli tha se do të rregullohet edhe çështja e donacioneve që mund të marrin subjektet politike si dhe masave sanksionuese që do të shqiptohen në rast të evidentimit të shkeljeve nga ana e zyrës.
Njëkohësisht, Cakolli tha se ky projektligj reflekton edhe opinionin e Komisionit të Venedikut dhe është në përputhje me këtë opinion, mirëpo edhe me kërkesat e kamotshme të shoqërisë civile për avancimin e legjislacionit lidhur me këtë çështje.