Rreth 12 mijë biznese, veçanërisht pika të shitjes me pakicë vazhdojnë të mos jenë të fiskalizuara, e që për pasojë informaliteti në Kosovë mbetet në shkallë të lartë.
Ndonëse, ATK me rritje të mbikëqyrjes në terren synon që deri në mesin e vitit të ardhshëm ta përmbyll procesin e fiskalizimit.
Kështu u tha gjatë diskutimit mbi domosdoshmërinë̈ e përfundimit të procesit të fiskalizimit dhe luftimit të ekonomisë joformale, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës në tryezën me temë “Luftimin e Ekonomisë Joformale: Fiskalizimi në Fokus”.
Drejtori ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka tha se shpesh herë raportohet që një numër i madh i bizneseve vazhdojnë veprimtarinë e tyre duke mos qenë të fiskalizuara.
Për këta, Zeka ka kërkuar nga ATK-ja dhe institucionet përkatëse që të krijojnë kushte të favorshme për një mjedis të barabartë në treg.
“Një proces i cili ka nisur tash e më tepër se një dekadë, shpeshherë raportohet që një numër i madh i ndërmarrjeve të sektorit privat, sidomos të pikave të shitjes me pakicë, edhe më tej vazhdojnë të mos jenë të fiskalizuara. Pra, fokusin po ashtu dëshirojmë edhe tek çështja se sa mbikëqyret procesi i fiskalizimit në përgjithësi, dhe sa janë kapacitetet e ATK-së në këtë aspekt për të mbikëqyrur fiskalizimin dhe përdorimin e arkave fiskale ashtu që të mund të krijojmë një mjedis të barabartë dhe I kryejnë detyrimet e tyre tatimore karshi shtetit dhe buxhetit të Republikës së Kosovës”, theksoi Zeka.
Po kështu edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të trajtojnë informalitetin në vend.
Rukiqi theksoi se bizneset nëpër vendet periferike nuk lëshojnë kuponë fiskal sikur bizneset nëpër qytete.
“Në qendra urbane ose në qytete sheh më shumë kuponë fiskalë, por sa më shumë që shkon më thellë në vendet periferike pothuajse nuk ekziston si proces. Pajisjet ekzistojnë, por ne kemi thënë gjithmonë që nuk mjafton vetëm pajisja, prandaj, njerëzit(bizneset) duhet me lëshuar kuponë fiskal”, theksoi Rukiqi.
Në anën tjetër drejtori i ATK, Ilir Murtezaj tha në bazë të vlerësimeve rreth 31 për qind është shkalla ekonomisë së zezë, ndërsa 28 për qind shkalla e ekonomisë së hirtë.
Duke pranuar se ka informalitet në vend, Murtezaj shpreson që deri nga mesi i vitit të 2022, ATK-ja ta përmbyll fiskalizimin.
Po ashtu tha se në dy muajt e fundit kanë inspektuar rreth 8 mijë biznese, derisa janë shqiptuar masa ndëshkuese rreth 16 mijë gjoba.
“Për që kemi informale në vend, pa dyshim që të gjithë jemi dëshmitarë që kemi dhe atë për shkak të shumë faktorëve. Vet fakti që të gjithë jemi në terren, shohim që ka laramani të zbatimit të ligjit nga ana e bizneseve. Kjo neve na ka bërë që të mobilizohemi më shumë për të krijuar një treg të barabartë për të gjithë tatimpaguesit dhe për një konkurrencë lojale. Masat ndëshkuese të aplikuara nga ana jonë fatkeqësisht nuk po prodhojnë efektin e mjaftueshëm që të vetëdijesohen bizneset, dhe për këtë në draft-ligjin për ATK, i cili është ende në qeveri, ne kemi propozuar disa masa të reja shtesë që për fenomenin e mos lëshimit fiskal të merren masa deri te vendosja e shiritave ose ndërprerja e aktivitetit për bizneset me faza të caktuara. Do të rritet efikasiteti gjatë muajve në vijim dhe njëkohësisht shpresojmë që deri kah mesi i vitit të ardhshëm do të kemi një përmbyllje të procesit të fiskalizimit”, theksoi Murtezaj.
Ndërsa, Valon Jahaj nga Shoqata e operatorëve të autorizuar për fiskalizim-PEF, theksoi se në bazë të të dhënave llogaritet se mbi 10 mijë biznese janë të pafiskalizuara.
Derisa përmendi se tashmë çmimet janë të volitshme për t’u pajisur me arka fiskale.
“Ne mendojmë që me këtë ofertë që e kemi bërë sa i përket gjeneratës së re të pajisjeve fiskale, besoj që nuk kishte me pasur më probleme, sepse është çmim lehtësisht i përballueshëm edhe për këto bizneset sa janë 10 mijë ose 12 mijë që nuk kanë pajisje, e të cilat ndoshta edhe hezitojnë me marrë faturë dhe kështu bëjnë atë shkëputjen e zinxhirit të përcjelljes deri te klienti i fundit”, theksoi Jahaj.
Ndërsa, në fund, drejtori i ATK-së, Murtezaj, ka ftuar të gjithë konsumatorët që të kërkojnë kuponin fiskal për shërbimet që marrin nga ana e bizneseve.