UBT News

​Shënohet një incident në Junik, shoqërohen dy persona në polici

Një incident është shënuar në shkollën “Edmond Hoxha” në qytetin e Junikut, ku një qytetar ka penguar punën e komisionarit, e që më pas të dy janë shoqëruar për në stacionin policor.

Këtë e ka bërë të ditur zyrtari komunal zgjedhor në Junik, Xhavit Gaxherri, i cili tha se përveç këtij incidenti, procesi zgjedhor po shkon në rregull. Deri në orën 11:00 kanë votuar 16.50 për qind e qytetarëve, ku të drejtë vote kanë 4 mijë e 527 qytetarë.

“Një incident ka ndodhur mes një votuesi dhe një komisionari, ku votuesi në fakt duket që e ka shqetësuar pak komisionarin, i cili ishte duke e kryer punën zyrtare. Ndërsa aty ka ndodhur një konflikt pastaj janë shoqëruar që të dy në stacion policor dhe rasti është veç duke u trajtuar prej organeve kompetente. Probleme të tjera nuk ka pasur”, tha ai.

Gaxherri tha se ka interesim më të madh të qytetarëve për të votuar krahasuar me raundin e parë.

“Numri i votuesve duket që është goxha i theksuar për dallim prej raundit të 17 tetorit, në ora 11 kur e kemi marrë rezultatin zyrtar ka qenë diku 16.50 për qind, ose 4.500 votues, për dallim prej 17 tetorit kur kanë qenë rreth 14 për qind. Kështu që në këto zgjedhje vërehet një fluks më i madh i votuesve”, tha ai.

Të drejtën për të votuar në qendrën “Edmond Hoxha”, e ka shfrytëzuar qytetari Muhamet Gjocaj, i cili tregoi se çfarë kërkese ka ndaj kryetarit të komunës.

“Gjithherë ka gjëra për t’u bërë, këta e dinë edhe më mirë, infrastrukturë akoma, punësim më shumë me pas, me hap biznese që të futen njerëzit nëpër puna mos të kenë pakënaqësi”, tha ai.

Qytetari i Junikut, Bujar Krasniqi, tha se pret që premtimet e fushatës zgjedhore të realizohen.

“Këto premtime që i kanë dhënë çdo njeri shpresoj t’i realizojnë, vende të punës”, u shpreh ai.

Ndërsa Adem Tofaj, tha se Juniku është një qytet i vogël, por me perspektivë të madhe, e për ketë tha se duhet një punë edhe më e madhe nga niveli lokal që të ketë zhvillim e punësim.

“Presim një stabilizim të qytetit tonë se ka pasur njëfarë fushate jo të mirë, por sipas të gjitha gjasave tash do të ketë një qetësi… Juniku është një vend i vogël, por me perspektivë të madhe”, tha ai.

Në garë për të parin e Junikut janë Agron Kuçi i AAK-së dhe Ruzhdi Shehu i LDK-së.

Exit mobile version