UBT News

​Shefja e USAID-it: Politikanët duhet të marrin vendime të vështira në Kosovë

Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, zhvilloi një shëtitje me një grup të rinjësh në parkun Gërmia në Prishtinë. Ajo tha se politikanët në Kosovë dhe Serbi duhet të marrin vendime të vështira për krijimin e perspektivës për të rinjtë.

“Sapo përfundova një ecje e mrekullueshme me të rinj të mrekullueshëm që sjellin histori vërtet të ndryshme, perspektiva vërtet të ndryshme, vijnë nga komunitete të ndryshme këtu në Kosovë, por ndajnë dëshirën për të parë njerëzimin e përbashkët tek të gjithë. Këta janë të rinj që përpiqen, për shembull, nëse ata jetojnë në Prishtinë vizitojnë Mitrovicën e Veriut, nëse jetojnë në Mitrovicën e Veriut ata vijnë dhe sigurohen që po ndërveprojnë me të rinjtë që kanë ëndrra dhe ambicie, që duan të bëjnë punë të mira, dhe të ndërtojnë dhe krijojnë gjëra të mrekullueshme këtu në Kosovë”, tha ajo.

Shefja e USAID-it tha se të rinjtë në Kosovë dhe Serbi nuk duhet t’i pengojë dhe ndalojë historia për të arritur potencialin e tyre.

“Sigurisht që po flitet shumë për politikën, dhe unë jam këtu dhe do të takohemi me kryeministrin e Kosovës dhe presidenten e Kosovës, dhe sigurisht do të zhytemi në bisedat për marrëveshjet politike, zbatimin, dhe të gjitha këto. Por është vërtet e rëndësishme ta kthejmë në atë që ka më shumë rëndësi, që është krijimi i një bote për brezin e ardhshëm, dhe brezin pas kësaj, që është më paqësore dhe më e begatë se bota në të cilën jetojmë tani. Janë këta të rinj që më japin shpresë, por edhe këta të rinj që vërtet duan normalitet në jetën e tyre, duan liritë themelore, dinjitetin bazë, dhe unë vërtet i admiroj sepse kërkojnë të vërteta të vështira, njohin perspektivën e të tjerëve dhe ata nuk duan të lejojnë që historia t’i pengojë ata dhe t’i ndalojë ata të arrijnë potencialin e tyre. Kështu që unë jam vërtet e frymëzuar nga këto diskutime. Shpresoj që politikanët kudo që janë të mund të marrin vendime të vështira duke pasur parasysh të rinjtë si këta”, theksoi Power.

Administratorja Power gjatë ditës do të takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shpalljen e ankandit të parë të energjisë diellore në vend. Gjithashtu, ajo do të vizitojë edhe Manastirin e Graçanicës për të mësuar më shumë rreth trashëgimisë dhe historisë kulturore.

Exit mobile version