Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar sërish para Qeverisë së Kosovës, me kërkesën për miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës, mosmarrjen e pagave për më shumë se dy vjet dhe përmbushjen e obligimeve.
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës, Shkumbin Goçi, ka thënë se Qeveria ka obligim ndaj 60 punëtorëve sa i përket pagave pasi kanë gati tri vjet që nuk kanë të ardhura financiare. Ai gjithashtu u shpreh se nuk do të ndalin protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
“Ne edhe sot sikur herëve të tjera jemi detyruar të dalim t’i kërkojmë të drejtat tona që na takojnë, si miratimi i ligjit, përmbushja e obligimit që ka qeveria ndaj punëtorëve sa i përket pagave. Janë rreth 60 punëtorë qe dy vjet nuk kanë kurrfarë të ardhura, kanë mbetur nën mëshirën e Zotit dhe kjo është arsyeja… Gjithmonë kemi premtime, por ato po shteren dhe po detyrohemi serish të dalim në rrugë. Ne nuk do të ndalemi derisa të përmbushen kërkesat. Ne po mundohemi në mënyrë ligjore ta zgjedhim çështjen tonë”, tha Goçi.
Goçi tha se ndihen të zhgënjyer me institucionet vendore sa i përket çështjes së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.
“Dje ka qenë një intervistë e ministrit ku gazetarja ia bën një pyetje: nesër kanë punëtorët e Lotarisë së Kosovës një protestë. Ku ka mbetur çështja e tyre? Dhe përgjigjja e ministrit është për keqardhje, na ka zhgënjyer të gjithë punëtorët kur thotë se duhet analizuar nëse duhet të ketë shteti i Kosovës një lotari. Kjo është katastrofë”, tha ai.
Ndërsa, Bashkim Sherifaj, punëtor i Lotarisë nga komuna e Ferizajt, kërkoi nga Qeveria t’i rikthejë në vendin e punës.
“Thjesht, duam të na rikthejnë në punë, nuk duam lëmoshë. Nuk duam ndihmë nga Qeveria, por vetëm të na kthejë në vendet e punës që na i kanë mbyllur padrejtësisht. Ata e dinë që është padrejtësisht dhe e dinë që nëse i dërgojmë në gjyq do të humbasin. Më 9 maj bëhen tri vjet. Si mund njeriu të ekzistojë pa rrogë.. Lotaritë kombëtare funksionojnë në të gjithë botën, në Korenë Veriore dhe Arabinë Saudite dhe në Kosovë falë qeverisë, ne vetëm jemi financuar, kurrë ndihmë nuk na ka dhënë Qeveria…S’po na lënë të punojmë, atëherë të na i japin pagat derisa të arrihet një zgjidhje afatgjatë”, tha Sherifaj.
Kuvendi i Kosovës në prill të vitit 2019 ka miratuar Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit.