Tashmë që kanë mbetur edhe dhjetë ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore të vendit, serbët e asaj pjese thonë se nuk ka kushte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve dhe se nuk do të dalin në votime.
Të paktë janë ata qytetarë të cilët pranojnë të flasin publikisht për këtë çështje dhe sikur hezitojnë të shprehen lirshëm, por prapa kamerës së KosovaPress-it dhe pa përmendur emra, bëjnë të ditur se janë të frikësuar për të dalë në zgjedhje nga grupe të caktuara në veri të vendit.
Me krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve ata nënkuptojnë kthimin e serbëve nëpër institucione.
Sllobodanka Zaporozhac, qytetare e veriut të Mitrovicës, thotë se nuk do të dalë në zgjedhjet e 23 prillit sepse nuk ekzistojnë kushtet për një gjë të tillë.
“Jo, kështu si qëndrojnë gjërat jo (nuk ka kushte për zgjedhje). As që mendoj të dal në zgjedhje… Zgjedhjet duhet të mbahen kur të krijohen kushtet, ndërsa kur do të ndodhë kjo nuk e di”, ka thënë Zaporozhac.
Ngjashëm u shpreh edhe një banor tjetër nga kjo pjesë e qytetit, i cili nuk deshi të prezantohet, por tha se nuk ka kushte për zgjedhje.
“Në një situatë të tillë, fare nuk ekzistojnë kushte për të dalë në zgjedhje… dhe në një situatë të tillë mendimi im personal është se nuk ka kushte as minimale për zgjedhje”, theksoi ai.
Në anën tjetër, Aleksandar Arsenijeviq, lider i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe” në veri të Mitrovicës, situatën politike dhe të sigurisë në veri e ka përshkruar të rëndë, me mundësi shpërthimi çdo moment.
Duke e quajtur të paligjshme mbajtjen e zgjedhjeve nëpër stacione policore, Arsenijeviq tha se ato duhet të shtyhen deri sa të krijohet atmosferë e përshtatshme. Ai tha se nuk ka kandiduar për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore, veç tjerash edhe për shkak se nuk ka dashur të ndahet nga shumica e popullit të tij.
“Situata aktuale politike dhe e sigurisë është e rëndë dhe e pasigurt, kështu që çdo shkëndijë mund ta ndezë fuqinë e barutit që ndodhet në veri. Sa i përket Beogradit dhe Prishtinës është e qartë se pas marrëveshjes së Ohrit nuk kanë arritur asgjë që do të ishte në interesin e qytetarëve dhe të qetësimit të situatës në terren… Para së gjithash nuk ka vendvotime për mbajtjen e zgjedhjeve, sepse shkollat funksionojnë sipas sistemit të Republikës së Serbisë… Sipas ligjeve ndalohet edhe filmimi i spoteve politike gjatë fushatës ku shihet stacioni policor, gjykata dhe institucionet e ngjashme shtetërore, të cilat duhet të mbeten neutrale… Pikërisht për shkak të një pjese të këtyre arsyeve nuk kam kandiduar, ndërsa arsyeja tjetër është se kur bëhet fjalë për të drejtat kolektive të komunitetit tonë në Kosovë ne duhet të qëndrojmë pranë popullit tonë… Zgjedhjet duhet të shtyhen para së gjithash jo për shkak të Listës Serbe, por për shkak të atmosferës që duhet krijuar për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, dhe deri atëherë është e pamundur të mbahen zgjedhjet”, u shpreh Arsenijeviq.
Ndryshe, zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit janë shpallur pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar për shkak të përplasjeve rreth çështjes së targave, ndërsa u parapanë të mbahen fillimisht më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani për 23 prill.