Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, ka kërkuar nga Prokuroria që sa më parë të kthehet arkiva në Zyrën për Çështjet e Kategorive të Dala nga Lufta. Në seancën plenare ajo ka thënë se veteranët dhe invalidët nuk po kanë mundësi të pajisen me dokumente. Sipas saj, duhet zbardhur edhe fryrja së listës së veteranëve.
Deputetja Selimi, në emër të bashkëluftëtarëve, ka ngritur çështjen e hetimit të kësaj liste dhe vështirësive me të cilat po përballen veteranët.
“Në vitin 2018 prokuroria kishte ngritur aktakuzë mbi 900 faqe për 12 zyrtarë, siç ishte publikuar në atë botë. Jemi pra shtatë vjet nga fillimi i hetimeve, e pesë vjet nga ngritja e aktakuzës. Shumë akuza janë shkëmbyer mes vete, midis prokurorëve për këtë rast dhe i njëjti ende nuk ka marrë epilog. Me qëllim të hetimit të listave të veteranëve, konfiskoi gjithë arkivin e zyrës së veteranëve, pranë Zyrës së Kryeministrit. Si pasojë nga ajo kohë e deri më sot, veteranët duke përfshirë edhe invalidët e luftës, nuk kanë mundësi të pajisjen me dokumentet, vërtetimet apo certifikatat për të cilat ata kanë nevoja të shumta”, ka thënë ajo.
Selimi tha se një veteran në mungesë të një dokumenti të thjeshtë, nuk mund të gëzojë të drejtat e tij që i takojnë me ligj.
“Sa vite i duhen Prokurorisë për ta bërë një hetim të tillë? I bëjmë thirrje asaj që sa më shpejt, Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta t’i vihet në dispozicion arkiva e saj. Në ndërkohë i bëjmë thirrje që Prokuroria të kryejë punën e vet në zbardhjen e cilës do shkelje apo çështje që ka çuar në fryrjen e listës së veteranëve. Mund të ketë veteran të cilët kanë aplikuar për tu pajisur me një vërtetim të thjeshtë, e që në pritje të këtij dokumenti, ai ose ajo mund të mos jetë gjallë sot. Hetimi ndaj shkelësve të ligjit është shumë i domosdoshëm, por kjo nuk do të duhej t’i penalizonte veteranët e vërtetë në ushtrimin e të drejtës së tyre për tu pajisur me dokumentet e nevojshme”, ka shtuar ajo.