Dogana e Kosovës ka sekuestruar pije alkoolike prej 42 mijë litrash në një dyqan në Hoçë të Madhe, Komuna e Rahovecit, derisa i ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej 38 mijë euro.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se dyqani dhe personi përgjegjës prodhonin pije alkoolike pa autorizim nga Dogana e Kosovës, aktivitet ky i paregjistruar e që nuk i nënshtrohet as kontrolleve sanitare e higjienike dhe i cili përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit
“Dogana e Kosovës njofton opinionin se ka realizuar një kontroll rutinore tek një dyqan ku shiten pije alkoolike në fshatin Hoçë e Madhe (Komuna e Rahovecit). Zyrtarët kanë gjetur se përveç dyqanit personi përgjegjës operon edhe me veprimtarinë e prodhimit të pijeve alkoolike pa autorizim nga Dogana e Kosovës, veprim ky që është në kundërshtim me normat përkatëse të Kodit Doganor dhe Akcizave. Personi gjithashtu nuk ka të regjistruar aktivitetin as si biznes në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve dhe rrjedhimisht nuk përfill kërkesat e raportimit të entit përkatës për mbikëqyrje të prodhimtarisë së verërave. Gjatë ditës së djeshme disa media kanë cituar postime me pretendime të rrejshme të një zyrtari të Qeverisë së Serbisë për gjoja veprime të një anshme të Doganës së Kosovës me konfiskim të pijeve alkoholike, të prodhuara në mënyrë jolegjitime”, thuhet në komunikatë.
Duke qenë se natyra e këtij veprimi të dyshuar përbën vepër penale, Dogana ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme. Derisa tregon se çfarë tjetër është gjetur në dyqanin në fjalë.
“Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkooli në sasi prej rreth 42 mijë litra. Personi në fjalë ka vepruar krejtësisht në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit. Ky aktivitet afarist i paregjistruar që nuk i nënshtrohet as kontrolleve sanitare e higjienike, përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit”, thuhet po aty.
Sipas doganës, në fshatin e njëjtë operojnë dy biznese të autorizuara për produkte të njëjta me pronar qytetarë të Kosovës të etnisë serbe dhe paguajnë të gjitha detyrimet ligjore. Veprimi i bizneseve të paligjshme përbën konkurrencë të padrejtë ndaj bizneseve të ligjshme.
Dogana e Kosovës ka sqaruar po ashtu se ka zbatuar administrimin e kontrollit dhe procedurat adekuate në mirëkuptim të plotë me personin përgjegjës dhe nuk ka hasur në asnjë lloj pengese nga banorët lokalë. Tërheqja e mallit të ndalur përkohësisht kërkon kohë derisa të vendosen mallrat në mjete të përshtatshme transporti.
Dogana e Kosovës është institucion profesional i zbatimit të ligjit dhe trajton në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Veprime të tilla kontrolli që rezultojnë në gjetje të proceseve të pa autorizuara prodhimi Dogana ka hasur edhe në qytete tjera, si në Gjakovë dhe madje ka bërë publike edhe rastin e rreth 15 mijë litra alkool në tetor të viti të kaluar.
“Dogana e Kosovës do të mirëmbajë përgjegjësitë e veta në mbrojtjen e shoqërisë dhe kërkojmë që këtij qëllimi t’i shërbejnë të gjithë dhe që veprimet e sundimit të ligjit mos të cenohen, pasi në këtë mënyrë përveç mundësimit të veprimeve që shkaktojnë dëme buxhetit dhe konkurrencës fer, rrezikohet edhe shëndeti i konsumatorëve nga veprimtari prodhuese të pa mbikëqyrura”, thuhet në fund të komunikatës.