Policia e Kosovës ka sekuestruar pajisje për prodhimin e kriptovalutave në Drenas. Sipas Policisë, pajisjet u gjetën pasi kishte dyshime se një veturë po bënte kontrabandë me mallra.
Në automjet i dyshuari kishte të ngarkuara pajisje për prodhimin e kriptovalutave si: 116 kartela grafike, 17 pllaka me procesor, 50 siguresa të energjisë elektrike, 21 USB dhe 2 procesorë të përdorur.
Vetura me të gjitha pajisjet është sekuestruar dhe me trajtimin e rastit vazhdon Dogana e Kosovës. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent.