UBT News

​Sejdiu nuk kandidoi për kryetar të LDK-së: Isa Mustafa ka dirigjuar të gjitha proceset në parti

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu ka adresuar një mori kritikash karshi proceseve brenda LDK-së, duke thënë janë procese të degjeneruara brenda partisë, sidomos në mosrespektimin e rregullave statutare.

Sejdiu derisa nuk foli për kandidatët për shkak se nuk ka qëndruar të dëgjojë propozimet, ka thënë se LDK do të duhej që ta bënte një analizë të thellë të faktorëve që kanë ndikuar në rezultatet e 14 shkurtit.

“Duke pasur parasysh që pësoi një goditje në zgjedhjet e para një muajve, dhe aty ka shumë shkaktarë, do të ishte e nevojshme që në këtë etapë të një muaj ditëshit të kapërcyer ta bënte një analizë shumë të thellë të gjitha rrethanave dhe të faktorëve që kanë ndikuar në atë proces dhe sot dëgjoj se ka qenë drejt gjithçka, që është e pakuptimtë sepse rezultati vjen në bazë të punës së suksesshme. E dyta çështje ka të bëjë me proceset e degjeneruara në LDK, sidomos në mosrespektimin e rregullave statutare që ajo i ka. Para më shumë se një viti, LDK ka pasur një proces zgjedhor dhe e ka zgjedhur kryetarin e saj dhe nuk ka lejuar një proces të rregullt me votë të fshehtë të më shumë kandidatëve, ku kam pas edhe unë idenë që të jem në shërbimin e saj për shkak të përvojës, dijes dhe energjisë që kam, por është përjashtuar një mundësi e tillë nga frika e rezultatit me votën e fshehtë, që është e vetmja demokratike. Sot ka një kut tjetër nga i njëjti formacion politik, nga të njëjtat dispozita që ka statuti“, tha ai.

Ai tha se nëpër skuta kanë dërguar se kush do të jetë delegatë në Kuvendin e LDK-së në vitin 2019. Sipas tij, do të duhej të bëhej ndryshimi i statutit të LDK-së.

“Kam propozuar që është tepër e rëndësishme që gjithë ecjen e saj LDK do të duhej ta zhvillonte në bazë të një procesi zgjedhor që do të organizohej, pra të shpallen zgjedhjet në LDK, në të gjitha nivelet, zgjedhje që do të ishin një ristrukturim i thellë i kualitetit që LDK e ka dhe unë besoj në të“, tha ai.

Kurse, Sejdiu tha se nuk pretendon të kandidojë sërish për kryetar të LDK-së.

“Jo unë e kam parë që këto procese kanë qenë të dizajnuara në këtë mënyrë dhe nuk dua të merrem me do elemente të tjera, por dyshoj se në këtë formë të instrukturuar në këtë mënyrë, sepse lobimi është i arsyeshëm, është një diçka që do të ishte jo e udhës, prandaj unë kam ofruar vetën time për gjithçka që është e mundshme në proceset e mëtejshme“, tha ai.

Ai nuk ka dashur të flasë nëse Mustafa është pjesë e këtyre dizajnëve edhe për kryetarin e ri të LDK-së.

“Ka përgjegjësinë më të madhe sepse ka qenë kryetar i partisë, ka qenë njeriu që bashkë me ekipin e tij ka dizajnuar ecjet e deritashme të LDK-së”, tha ai.


Ndryshe, sot LDK-ja po mban Kuvendin Zgjedhor për zgjedhjen e të parit të LDK-së.

Exit mobile version