UBT News

​Salih Mustafa nuk deklarohet para trupit gjykues në Hagë

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ka zgjedhur të mos jap deklaratë pa betim në fund të procesit gjyqësor dhe as të përgjigjet në pyetjet e trupit gjykues. Kjo është bërë e ditur në seancën e sotme nga kryetarja e turpit gjykues Mappie Veldt-Foglia e cila ka thënë se kishin planifikuar pyetje për Mustafën që lidhen me ngjarjet e prillit të vitit 1999.

Edhe pse fillimisht ka shprehur gatishmërinë për të folur para trupit gjykues, Mustafa përmes mbrojtjes së tij kishte njoftuar se nuk do ta bëjë këtë.

“Përmes parashtrimit të protokolluar me numër 410, i cili fatkeqësisht është bërë më pak se 24-orë përpara seancës së sotme, mbrojtja ka informuar se zotëri Mustafa e ka rimenduar qëndrimin e tij dhe nuk do të jap deklaratë pa betim dhe as nuk do të t’iu përgjigjet pyetjeve të turpit gjykues. Rrjedhimisht deklarata pa betim sipas rregullës 142 të rregullores dhe proceduat përkatëse nuk do të zhvillohen”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

Gjykatësja ka thënë se për Mustafën trupi gjykues kishte planifikuar pyetje që lidhen me ngjarjet e prillit të vitit 1999.

“Zotëri Mustafa, arsyeja pse trupi gjykues dëshironte t’u bënte pyetje ishte ndër të tjera për t’u përpjekur për të sqaruar se çfarë ka ndodhur aso kohe në prill të vitit 1999 dhe cili ka qenë roli juaj, nëse keni pasur rol, në kuadër të aktakuzës së konfirmuar. Pyetjet që trupi gjykues do t’u kishte bërë, do të duhej të ishin parë nga ky këndvështrim”, ka thënë ajo.

Tutje, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun ndërkohë që kryetarja e trupit gjykues e ka lëshuar një urdhër.

Në këtë seancë, mbrojtja e Salih Mustafës, avokati Julius Von Bone ka thënë se do të mbyllin çështjen deri më 26 maj 2022.

“Me 99% më datë 26 (maj) do të mbyllim paraqitjen e lëndës sonë”, ka thënë Von Bone.

Gjithashtu, trupi gjykues ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që deri brenda datës 24 maj të paraqes kërkesën përkundër provave nëse synojnë të bëjnë një gjë të tillë.

Seanca e radhës ndaj Salih Mustafës pritet të mbahet në fillim të muajit qershor. Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara. Ndërsa mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.

Në fillim të këtij procesi, Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruarar i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara, “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar.

Exit mobile version