Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e sigurisë kundër njëmbëdhjetë të pandehurve në rastin e ryshfetit në rastin e ndarjes së subvencioneve në bujqësi.
Ndaj nëntë të akuzuarve është caktuar masa e paraburgimit për një muaj, ndërsa ndaj dy të pandehurve një muaj arrest shtëpiak.
“Të pandehurve S.SH., L.S., S.S., H.M., B.N. K.Z., A.U., D.A., P.K., gjykata iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç, ndërsa kundër të pandehurve SH.K., dhe K.B–S. është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit dhe është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, pasi që e njëjta ka konstatuar se janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 187, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Të pandehurit në këtë çështje penale dyshohen nga Prokuroria se në kohë dhe vende të ndryshme varësisht nga interesi dhe marrëveshja kanë pranuar dhe kanë dhënë ryshfet nga persona të ndryshëm, pastaj i kanë ndarë në mes vete. Po ashtu në mënyrë direkte apo të tërthortë kanë kërkuar dhe pranuar përfitim – para për vete në mënyrë që të veprojnë apo të mos veprojnë në pajtim me detyrën zyrtare, konkretisht të pandehurit kanë kërkuar ryshfet nga persona të ndryshëm kryesisht fermer, me qëllim që ti fusin në listat e përfituesve të subvencioneve, ku dyshohet se disa prej fermerëve janë futur në lista duke dhënë ryshfet-para, me ç’rast kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare apo autoritetit zyrtar.