Dhjetëra kompani ruse dhe agjenci qeveritare janë hakuar si ndëshkim për pushtimin e Ukrainës.
Rusia njihet për ushtrinë e saj të hakerëve, por që nga fillimi i pushtimit të saj në Ukrainë, dhjetëra organizata ruse – duke përfshirë agjencitë qeveritare, kompanitë e naftës dhe gazit, dhe institucionet financiare – janë hakuar, ku terabajt të dhëna të vjedhura kanë rrjedhur në internet.
‘Distributed Denial of Secrets’, kolektivi i transparencës që njihet më së shumti për publikimin e tij në vitin 2020 prej 270 gigabajt të të dhënave të zbatimit të ligjit në ShBA (gjatë protestave për drejtësinë racore pas vrasjes së George Floyd), është bërë shtëpia ‘de facto’ e të dhënave të hakuara nga Rusia. Të dhënat i dorëzohen ‘DDoSecrets’ kryesisht nga hakerë anonimë, dhe ato të dhëna më pas vihen në dispozicion të publikut në faqen e internetit të kolektivit dhe shpërndahen duke përdorur BitTorrent.
“Vërshimi i të dhënave ruse ka nënkuptuar shumë netë pa gjumë dhe është me të vërtetë dërrmuese”, tha Emma Best, bashkëthemeluese e DDoSecrets, për The Intercept përmes një aplikacioni të koduar të mesazheve.
“Në më pak se dy muaj që nga fillimi i pushtimit, ne kemi publikuar mbi 6 milionë dokumente ruse – dhe është absolutisht ashtu”, ka shtuar ajo.
Pas marrjes së një grupi të dhënash, DDoSecrets organizon dhe përmbledh të dhënat; më pas fillon shpërndarjen e të dhënave duke përdorur BitTorrent për konsum publik, i publikon ato dhe i ndihmon gazetarët në një gamë të gjerë redaksish të kenë qasje dhe raportojnë për to.
DDoSecrets ka publikuar rreth 30 grupe të dhënash të hakuara nga Rusia që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në fund të muajit shkurt.
Shumica dërrmuese e burimeve që dhanë të dhënat e hakuara ruse, duket se janë individë anonimë, shumë që vetë-identifikohen si pjesë e lëvizjes Anonymous.
Disa burime ofrojnë e-mail adresa ose informacione të tjera kontakti si pjesë e të dhënave të hedhura, dhe disa, si ‘Network Battalion 65’, janë të pranishme në mediat sociale.