Trupat ruse nisën një valë të re sulmesh ndaj pozicioneve ukrainase dhe vendbanimeve civile ndërsa luftimet e ashpra po vazhdojnë në lindje të Ukrainës.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se situata në terren është tejet e vështirë pasi forcat ruse po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të thyer mbrojtjen e forcave ukrainase. Sipas inteligjencës britanike forcat ruse kanë nisur një sulm më të bashkërenduar në Vuhledar, një qytet minierash qymyri në rajonin e Donjeckut, që është bërë pika e qendrore e betejës për kontrollin e Ukrainës lindore.
Por pavarsisht kësaj, Rusisë i mungojnë numrat për të bërë një progres të dukshëm. Sulmi rus në qytetin Vuhledar vjen pasi Moska ka bërë përparime të rëndësishme rreth qytetit Bakhmut gjatë dy javëve të fundit.
Ekspertët ushtarakë thonë se Moska është e vendosur të fitojë territore të reja në Ukrainë në muajt e ardhshëm, përpara se Kievi të marrë qindra tanke dhe automjete të blinduara nga Perëndimi.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë rënë dakord që t’i japin Ukrainës tanke Abrams dhe Leopard 2, ndërsa më herët Mbretëria e Bashkuar bëri të ditur se do të dërgojë 14 tanke të llojit Challenger 2. Kryeministri Rishi Sunak është shprehur se nga një konflikt të gjatë do të përfitonte vetëm Rusia prandaj mbështetja ushtarake i duhet dhënë sa më shpejt Ukrainës.
Sakaq, ministria e Jashtme e Ukrainës ka kritikuar deklaratat e presidentit kroat, Zoran Milanoviç, ku ai u shpreh se Krimea nuk do të kthehej kurrë nën kontrollin e Ukrainës, duke e përshkruar komentin e tij si të papranueshëm.