Gjatë muajit prill është rritur numri i viktimave të dhunës në familje që kërkojnë strehim. E rritja e këtij numri, bënë që të rriten edhe nevojat financiare të strehimoreve, për çka Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve po kërkon ndihmë nga shteti.
Është Konventa e Stambollit që obligon shtetin që të financojë këto të fundit. Kështu u tha pas takimit që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministrja, Nita Shala patën me drejtueset e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, të cilën e vizituan në vazhdën e vizitave me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit.
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, e cila mori pjesë në vizitat për nder të kësaj dite, tha se ndanë shqetësimin e përbashkët për fenomenin e dhunës në familje, si dhe nevojën për të siguruar mbrojtje sa më të mirë për viktimat e dhunës në familje.
Ajo tha se në takimin e sotëm në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, morën një lajm të mirë, e që është shtimi i rasteve kur familjet biologjike mbrojnë viktimat e dhunës.
“Ndamë shqetësimin e përbashkët për fenomenin e dhunës në familje, si dhe nevojën për të siguruar mbrojtje sa më të mirë për viktimat e dhunës në familje. Morëm edhe një lajm të mirë që gjithmonë e më shumë familjet biologjike po shprehin vullnetin që të ndihmojnë viktimat e dhunës në familje dhe praktikisht synojmë që edhe më tutje të bashkëpunojmë, të bashkërendojmë aktivitetet, në mënyrë që t’i japim një përgjigje sa më efektive këtij fenomeni”, tha ajo.
Drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, Zana Hamiti – Asllani tha se numri i viktimave që kërkojnë strehim në këtë qendër është rritur dukshëm në muajin prill. Asllani bëri të ditur se kjo nuk është vizita e parë që ministrja Albulena Haxhiu i bëri kësaj qendre.
Sipas saj, që nga vizita e parë e Haxhiut e deri më tash kanë ndryshuar shumë gjëra, duke u ofruar viktimave kushte që siç tha ajo, janë të nivelit evropian.
“Ministrja na ka vizituar edhe herëve tjera për t’u interesuar për kushtet që ne iu ofrojmë viktimave në strehimore. Po më duket që edhe ajo është ndarë e kënaqur se pas shumë vizitave të mëhershme është një ndryshim i madh, është rinovuar objekti, dhe kushtet për viktimat janë në nivel evropian. Numri i rasteve të strehuara është në rritje, muajin e fundit, por po shpresojmë që me fushata sensibilizuese t’i informojmë viktimat që ato e kanë një vend të sigurt të drejtohen, mos të durojnë dhunën, të vijnë në strehimore dhe procedurat e mëtutjeshme”, tha ajo.
Krahas rritjes së numrit të viktimave që kërkojnë strehim, ajo tha se nevojitet edhe financim, për çka u shpreh optimiste se do t’i ndihmojë Ministria e Drejtësisë, pasi pas saj, është Konventa e Stambollit që obligon shtetin për të financuar strehimoren.
“Me ratifikimin e Konventës së Stambollit, tash që është pjesë e Kushtetutës së Kosovës, po besojmë që do t’i zbatojnë ato ligje, të përputhen me Konventën e Stambolli dhe të kemi të paktën një financim të qëndrueshëm meqë strehimorja, jo veç e Prishtinës, por në gjithë Kosovën, përballen me mungesë financiare. Konventa e Stambollit e obligon shtetin që ta financojë strehimoren edhe pse është OJQ. Po shpresojmë në këtë drejtim dhe shpresoj që do të kemi përkrahje të vazhdueshme nga ministrja”, tha ajo.
Lidhur me këtë, zëvendësministrja Nita Shala tha se në prioritet e Ministrisë së Drejtësisë është edhe krijimi i një linje të veçantë buxhetore, për çka theksoi se po punojnë intensivisht që të gjejnë një mekanizëm për ta bërë sa më shpejt të implementueshëm.