Çmimet e naftës kanë shënuar rritje të hënën, pasi Arabia Saudite ka thënë se do të zvogëlojë për një milion fuçi në ditë, sasitë e prodhimit, përgjatë muajit korrik.
Nga 10 milionë fuçi në ditë, sa i ka prodhuar në maj, ajo tani do t’i prodhojë 9 milionë fuçi.
Pjesëtarë tjerë të grupit të shteteve që prodhojnë naftë, OPEC+, janë pajtuar për zvogëlim të prodhimit, për t’i stabilizuar çmimet.
Vendet e OPEC+ zotërojnë gati 40 për qind të naftës së papërpunuar, dhe vendimet e tyre mund të kenë ndikim të madh në çmime të naftës.
Të hënën në Azi, çmimi i naftës së papërpunuar Brent, është rritur për 2.4 për qind, dhe një fuçi është shitur për 77 dollarë.
OPEC+ ka thënë se synon që prodhimi të ulet në 1.4 milion fuçi në ditë, prej vitit 2024.
Vendimi është marrë pas një takimi shtatë-orësh, të dielën, shkruan REL.
Çmimet e naftës janë rritur prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, vitin e kaluar, por tani janë në nivelet e para nisjes së konfliktit.
Organizata OPEC+ është pajtuar në tetor të vitit të kaluar, që të ulë prodhimin për 2 milionë fuçi në ditë, çka përbën 2 për qind të kërkesës globale.
Në prill të këtij viti, grupi është pajtuar edhe për shkurtesa tjera.
Mirëpo, zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, ka thënë se bisedimet e së dielës kanë çuar në “vazhdim të marrëveshjes deri në fund të vitit 2024”.
Të dielën, ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, ka thënë se zvogëlimi i sasisë së shtetit të tij për një milion fuçi në ditë, mund të shtyhet edhe përtej korrikut, me qëllim të stabilizimit të tregjeve.