UBT News

​Rrëzimi i avionit të Prigozhinit, “shumica e rusëve të befasuar që nuk kishte ndodhur më herët”

Rusia është një vend plot surpriza. Njerëzit në Rusi u tronditën këtë verë pasi dronët sulmuan qendrën e Moskës disa herë, duke shkaktuar shpërthime dhe dëme në ndërtesa.

Por sot, ndërsa u publikua lajmi se avioni i Yevgeny Prigozhinit është rrëzuar, duke u përplasur në rajonin Tver të Rusisë, shumica e njerëzve nuk ishin aspak të tronditur. Në fakt, shumica e rusëve ndoshta ishin të befasuar që nuk kishte ndodhur më herët, shkruan BBC.

Prej javësh në Rusi po qarkullonin spekulime rreth asaj se çfarë fati e priste pikërisht Yevgeny Prigozhin. Pikërisht dy muaj më parë, shefi i Wagner filloi rebelimin e tij të shkurtër.

Mercenarët e tij pushtuan një qytet të madh rus dhe madje marshuan drejt Moskës. Pasi rebelimi u ndërpre, shumë menduan se ditët e Prigozhin ishin të numëruara. Në fund të fundit, rebelimi ishte një poshtërim për Kremlinin dhe presidenti Putin nuk është lloji i njeriut që fal dhe harron.

Rreth një orë pas rrëzimit, Agjencia Federale Ruse e Aviacionit Rosaviatsiya lëshoi një deklaratë që konfirmoi se emri i Yevgeny Prigozhin ishte një ndër pasagjerët.

Por si po reagon Rusia për këtë? Televizioni shtetëror rus po e mban raportimin për incidentin në minimum, duke cituar zyrtarë qeveritarë pa bërë ndonjë koment. Në buletinin kryesor të lajmeve të mbrëmjes, kanali televiziv “Channel One”, i kontrolluar nga Kremlini, i kushtoi kësaj ngjarje vetëm 30 sekonda.

Sa i përket vetë grupit Wagner, kanalet Telegram të lidhura me mercenarët kanë pohuar se Prigozhin “u vra… nga tradhtarët e Rusisë”.

Sipas mediave ruse, hetuesit po shqyrtojnë një sërë shkaqesh të mundshme, duke përfshirë “veprimet e jashtme”.

Duke komentuar incidentin, analistja politike Tatiana Stanovaya tha se shkaku i rrëzimit të avionit nuk është i rëndësishëm – më domethënës është mesazhi që ai u dërgon çdo rebeluesi tjetër të mundshëm: “Të gjithë do ta shohin këtë si një akt hakmarrjeje dhe ndëshkimi…Nga këndvështrimi i Putinit, si dhe shumë në mesin e zyrtarëve të sigurisë dhe ushtarakëve, vdekja e Prigozhin duhet të shërbejë si një mësim”.

Exit mobile version