Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike ka kërkuar akses të menjëhershëm në impiantin bërthamor në Zaporizhia.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së mbajti një takim të jashtëzakonshëm mbi situatën e vështirë në centralin në fjalë, që kontrollohet nga trupat ruse.
“Mbetem shumë i shqetësuar për situatën në impiantin në Zaporizhia dhe përsëris se çdo ndërhyrje ushtarake vë në rrezik sigurinë. Këto ndërhyrje, në një impiant kaq të madh, mund të çojë në pasoja serioze”, tha drejtori i ANEA, Rafael Mariano Grossi.
Si Ukraina edhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për sulmet.
“Ajo që ka ndodhur në ditët e fundit në atë impiant është kombinimi i akteve kriminale të regjimit të Kievit ndaj infrastrukturës bërthamore dhe akteve të stafit të centralit, veprime për të cilat nuk ka pasur asnjë reagim ndërkombëtar”, u shpreh ambasador i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya.
“Edhe një herë Rusia preku fundin e historisë së terrorizmit. Askush nuk ka përdorur kaq hapur një impiant bërthamor për të kërcënuar botën dhe për të diktuar kushte. E gjithë bota duhet të reagojë për të dëbuar pushtuesit nga territori i centralit atomik në Zaporizhia”, theksoi Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Uashingtoni i bëri thirrje Moskës që të ndalë operacionet në kompleksin bërthamor. Edhe pse për momentin nuk ka pasur kontaminim, bombardimet e fundit kanë shtuar shqetësimin për një katastrofë bërthamore./atsh/