UBT News

​Rreth 60 pacientë në Onkologji të infektuar me COVID në tre muajt e parë të vitit

Pothuajse çdo muaj në Klinikën e Onkologjisë gjatë këtij viti janë diagnostikuar rreth 140 persona me sëmundje malinje. Më shumë se 60 prej tyre në tre muajt e parë e të këtij viti janë infektuar me COVID-19. Asnjë nga të infektuarit me COVID-19 që po trajtohen në Onkologji, nuk ka humbur jetën nga ky virus.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi tregon për KosovaPress se gjatë vitit 2020, janë regjistruar 1 mijë e 370 raste të reja me kancer dhe numri i atyre që kanë qenë të infektuar me COVID-19 deri në fund të vitit të kaluar ka qenë mbi 350.

“Nga janari kemi prapë raste të reja të cilët duke marrë kimioterapinë, ose kur bëjnë kontrolle tek ne, na lajmërojnë që janë të infektuar me COVID-19. Dhe ato raste që na lajmërojnë që janë të infektuar, ne i ndërpresim mjekimet onkologjike derisa të shërohen nga infeksioni. Fluksi i punës është shumë i madh në klinikën tonë, ne kemi punuar gjatë gjithë kohës së pandemisë”, tregon ai për KosovaPress.

Po ashtu, Kurtishi tregon se gjatë ditës në këtë periudhë klinikën janë duke e frekuentuar mbi 150 pacientë, që i bie se të njëjtit shtretër shfrytëzohen 3 deri në 4 herë.

“Numri i sëmundjeve malinje apo rasteve të reja që i identifikojmë nga muaji në muaj sillet nga 120 deri në 140 raste të reja të sëmundjeve të lokaliteteve të ndryshme. Zakonisht te femrat dominon kanceri i gjirit, kurse te meshkujt dominon kanceri i mushkërive. Dhe menjëherë pas këtyre, dy problematika te dy gjinitë janë kanceri në zorrën e trashë dhe i organeve gjenitale të cilët janë problematike te femrat”, shton ai.

Më tej, drejtori i Onkologjisë bën të ditur se deri më tani nuk ka pasur raste të cilat kanë qenë duke u trajtuar në klinikë, e që të njëjtët kanë humbur jetën si shkak i infektimit me COVID-19.

“Gjatë vitit 2020 numri ka qenë 300-400 persona (të infektuar), kurse këta tre muaj (janar-mars) ne deri tash i kemi grumbulluar rreth 50-60 pacientë, të cilët na kanë informuar që kanë qenë të prekur me COVID-19”, shton ai.

Veç tjerash Kurtishi thekson se deri në fund të prillit pritet instalimi i aparaturës së re të radio-terapisë, për çka shton se kanë nevojë edhe për një aparaturë tjetër për shkak të numrit të madh të shërbimeve. 

Exit mobile version