Në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” po vazhdon shpërndarja e vaksinës për personelin shëndetësor. Aty aktualisht janë duke u vaksinuar stafi mjekësor i sektorit privat dhe ata të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nga fillimi i vaksinimit e deri më sot janë vaksinuar rreth 4 mijë e 300 persona, ndërsa vetëm në mesditë në këtë qendër me AstraZeneca janë imunizuar 95 mjekë dhe infermierë.
Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi deklaroi se ky proces i imunizimit në Kosovë po vazhdon të shkojë pa ndonjë telashe. Ai thotë se sot do të vendoset se kur do të nisë vaksinimi i të moshuarve.
“Çdo gjë deri më tani ka shkuar si më së miri, pa pasur ndonjë të veçantë që duhet të diskutohet. Aktualisht deri më tash sot janë të vaksinuar 95 persona në qendrën ‘1 Tetori’, por duke mos pasur numrin e gjeneruar nga regjionet dhe që presim në çdo moment të na përcjellin të dhënat e sakta. Por nëse i referohemi numrit total të të vaksinuarve kemi rreth 4 mijë e 300 persona të vaksinuar deri në këto çaste që po flasim. Ne jemi duke vazhduar vaksinimin e personelit shëndetësor privat dhe atyre të FSK-së që kanë mbetur dje pa u vaksinuar. Sa i përket çështjes së vaksinimit të të moshuarve, prapë ngelet që mbi bazën e rekomandimit që do të dalë sot do të jeni të informuar se si veprohet tutje qoftë me të moshuarit apo profesionistët shëndetësorë”, theksoi Bardhi.
Me qëllim që të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi moshën 80-vjeçe dhe ata me sëmundje kronike, Bardhi tha se do të angazhojnë edhe ekip mobile për vaksinim.
Koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë thekson se nuk janë ballafaquar me fluks për vaksinim, por që kanë kapacitet që brenda ditës t’i imunizojnë deri në 1 mijë persona.
“Ne jemi të përgatitur për të vaksinuar nga 750 e tutje persona dhe me komoditet mund t’i kryejmë deri 1 mijë raste brenda ditës, por siç e keni parë çdo ditë kur keni qenë këtu fluksi nuk ka qenë shumë i madh këtu, prandaj kemi komoditet në këtë pjesë dhe pa asnjë problem do e menaxhojmë”, deklaroi ai.
Meqenëse për vaksinën AstraZeneca tashmë janë ngjallur dilema, Bardhi thotë se ata që janë vaksinuar nuk kanë shpërfaqur asnjë shqetësim.
“Sipas asaj që ne kemi parë gjithmonë tani brenda kësaj salle nuk kemi pasur ndonjë shqetësim apo reagim nga doza e parë dhe marr në tërësi nuk kemi dëgjuar që mund të themi ndonjë rast shumë i veçantë që ka pasur ndonjë shqetësim dhimbje dore apo ndonjë shqetësim tjetër”, tha Bardhi.
Gjatë ditës së sotme dozën e parë të vaksinës antiCOVID e mori edhe mjeku veteran Behxhet Osmani. Ai apelon që askush të mos hezitojë ta marrë vaksinën antiCOVID, pasi që thekson se kjo është mënyra më e mirë për të çrrënjosur virusin.
“Unë jam mjek dhe mjekoj një numër të madh të të sëmurëve me COVID, edhe është apeli im që të gjithë njerëzit që e kanë mundësinë me e marr këtë vaksinë ta marrin mos të hezitojnë fare, sepse e vetmja mënyrë për ta çrrënjosur këtë virus është vaksinimi. Tani për tani nuk kemi ndonjë bari që e shkatërron virusin”, tha ai.
Edhe Ajsha Xhambazi, mjeke pensioniste pasi u vaksinua thotë se fillimisht ka hezituar për shkak të telasheve me alergjinë që ka ndaj një bari, por më pas vendosi të vaksinohet dhe tani po ndihet mirë.
“Tani mirë jam nuk kam problem duhet të pres pak se kam alergji në Cefaklor aktualisht shumë mirë… Pak po por vetëm për shkak të alergjisë përndryshe çdo kush duhet ta merr”, theksoi ajo.
Krahas vaksinimit në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, personeli shëndetësor po vaksinohet edhe nëpër komunat ku veprojnë. Kosova më 28 mars ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca.
Ata që kanë prioritet për vaksinim me këto doza janë stafi mjekësor, të moshuarit mbi moshën 80 vjeçare dhe ata me sëmundje kronike.