Në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi janë shprehur shqetësime rreth listave të pritjes në kuadër të shërbimit Spitalor Klinik Universitar dhe janë adresuar kritika rreth bordit të këtij institucioni, për çka disa deputetë kanë kërkuar edhe shkarkimin e kryesueses së bordit të ShSKUK-së. Deputeti Bekim Haxhiu ka thënë se në vitin 2021 janë realizuar rreth 20 mijë operacione më pak në institucionet publike të shëndetësisë në vend.
Deputetët e Komisionit për Shëndetësi kishin mbajtur një takim me Bordin dhe drejtorin e ShSKUK-së, takim të cilin kanë deklaruar se nuk ka përfunduar në mënyrë të rregullt meqë sipas tyre kryesuesja e bordit, Agreta Gecaj- Gashi kishte fyer deputetët dhe e kishte lëshuar takimin.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë se janë të shqetësuar me situatën aktuale në ShSKUK.
“20 mijë operacione më pak janë në ShSKUK në vitin 2021, pra 20 mijë operacione janë më pak në sektorin publik dhe janë 20 mijë operacione më shumë në sektorin privat dhe kjo ka kosto miliona euro, dikush ka përfituar, prandaj ka përpjekje me i ikë llogaridhënies dhe nuk ka përgjegjësi kur lista e pritjes në procedurë diagnostifikuese nga zero sa ishte deri në një javë është bërë në gjashtë muaj deri në një vit, ne kërkuam edhe për këto llogari dhe nuk morëm. Mund ta mbajë atë bord Ministria, por bazuar në atë llogaridhënie që pamë, ose në atë paaftësi me u përgjigj në pyetje të deputetëve, ne kërkuam sa është numri i përgjithshëm i referimeve gjatë vitit 2021 nga sektori publik në sektorin privat, tha: ‘nuk kemi’, sa miliona euro kanë përfunduar në sektorin privat, ‘nuk kemi’. Bazuar në këto besoj që duhet t’i rekomandojmë ministrit të Shëndetësisë që të shkarkojë bordin sepse është bord i paaftë”, ka thënë Haxhiu.
Lidhur me takimin me Bordin e ShSKUK-së, kryetarja e komisionit, Fatmire Kollçaku ka deklaruar që edhe pse mediat nuk ishin në atë takim, dikush ka incizuar disa pjesë dhe i ka shpërndarë ato për çka ajo e ka konsideruar në kundërshtim me ligjin.
“Ka ndodhur një akt i dënueshëm sepse është bërë incizimi i takimit i paautorizuar, aty nuk ka pasur përfaqësues të mediave dhe nuk është paralajmëruar që do të bëhet incizimi i bisedave, ka qenë një bisedë, një raportim në fakt i Bordit dhe drejtorit të shërbimit spitalor klinik universitar dhe kanë rrjedh incizimet në media. Unë besoj që edhe me ligjet në fuqi kjo është e dënueshme”, ka thënë Kollçaku.
Kritika për kryesuesen e Bordit të ShSKUK-së ka pasur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.
“Skandali më i madh i saj dhe që e ka humbur fokusin e punës është se kryetarja e Bordit kohët e fundit ose ka muaj që është kryesuese e komisionit përzgjedhës për drejtor të klinikave, një person i emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, edhe kjo është në kundërshtim me krejt normat ligjore që janë dhe këtu dikush duhet të vihet para përgjegjësisë… Informacionet që kemi, edhe mediat, edhe shërbimet atje, kanë parë keqpërdorime, kanë parë duke dhënë testime, duke shpërndarë letra të ndryshme edhe që kanë lënë shije të keqe edhe tek vet kolegët aty që janë mjekë profesionistë dhe që kanë garuar për drejtor të klinikave. Shkoni sot në emergjencë dhe e keni kaos, ata kanë krijuar kaos për shkak të papërgjegjësisë të saj dhe të këtij ekipi. Askush nuk po jep përgjegjësi, ju e dini çka ka ndodhur me metalet nëpër barna, askush nuk ka dhënë përgjegjësi deri sot, ju e dini çka ka ndodh në ndërrimin e kufomave, askush nuk ka dhënë përgjegjësi deri sot”, ka thënë Zemaj.
Edhe deputeti Mirsad Shkreta ka thënë se Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërmarrë masa ndaj Bordit të ShSKUK-së.
“Kryetarja e Bordit na është drejtuar me fyerje, deputetëve, zotëri Haxhiut, mua, ‘unë juve nuk ju përfill, nuk ju njoh kush jeni’. Mbi vazhdën e kësaj konstatoj që persona të tillë, të cilët mund të kenë dhe kanë dëshmi që keqpërdorin pozitën zyrtare duhet të trajtohen komfort ligjit, andaj unë personalisht besoj që të gjithë deputetët janë të mendimit, kërkojmë nga organet kompetente, ministria e shëndetësisë, konform ligjit të merr masa, masa të cilat janë obligim edhe ligjor por njëkohësisht janë edhe mandat i yni për të cilin ne jemi zotuar para qytetarëve”, ka thënë ai.
Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka thënë se është brengosëse lista e pritjes deri në tetë muaj për procedura diagonostike.
“Shumë herë është proklamuar shëndetësia prioritet por edhe këtë herë po shihet që nuk është prioritet shëndetësia, nuk është prioritet për shkak se që sa kohë u bë tërë vitin e kaluar kemi pasur të njëjtat debate dhe prap jemi në të njëjtat, më të thelluara dhe situatën shumë më të rëndë sot sesa që e kemi pasur në fund të vitit të kaluar kur listat e pritjes kanë qenë zero e sot janë me tetë muaj, cila ishte arsyeja nuk patëm ndonjë valë të re, brengosëse është që për një interval kohor prej gjashtë muajsh të bëhet rendi gjashtë, shtatë apo tetë muaj të presin pacientët për procedura diagnostike dhe jo për intervenime apo operacione të ftohta”, ka thënë Dreshaj.
Komisioni për Shëndetësi ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shëndetësi dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor.
Lidhur me këtë të fundit, është thënë se bëhet fjalë për harmonizim me Ligjin për kundërvajtje.