Fotografimi i deputetëve dhe sigurimi i pasaportave diplomatike për disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, i kushtuan buxhetit të shtetit 1 mijë e 720 euro.
Në raportin që e ka siguruar KosovaPress, për shpenzimet e Kuvendit për gjashtëmujorin e parë për vitin 2021, shihet se vetëm fotografimi i deputetëve për regjistrimin e tyre për legjislaturën e tetë, i kushtoi legjislativit mbi 400 euro.
Ndërsa, pagesa për sigurimin e pasaportave diplomatike për deputetët e rinj të Kuvendit, i kushtoi buxhetit të shtetit rreth 1 mijë e 220 euro.
Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës është konstituar më 22 mars të vitit 2021, ndërsa këtë javë përfundon sesioni pranveror.