Për më pak se një javë janë shqiptuar gjoba për 149 raste të shkeljes së Ligjit për Kontrollin e Duhanit, ka thënë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Ai ka bërë të ditur se nga data 16 e këtij muaji deri më sot kanë bërë 683 inspektime në teren.
“Ne vetëm po bëjmë detyrën tonë për të cilën jemi mandatuar. Ajo që po me bën të ndjehem krenar, është kultura e masave qytetare të cilët po e shprehin në respektim të vullnetshëm të ligjit. Ata të cilët në çfarëdo forme tentojnë ti shkelin rregullat, sigurisht që do të përballen me masën ndëshkimore qe e ka përcaktuar ligji. Nga data 16 deri me sot kemi realizuar 683 inspektime nga të cilat kemi hasur në 149 raste të shkeljes se ligjit, për të cilat raste kanë pasuar gjobat”, ka thënë Peci.
Ditë më parë, ministri i Bujqësisë ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë shtim të aktivitetit dhe inspektorëve sanitarë në teren si dhe masa rigoroze për ata që nuk e zbatojnë Ligjin për Kontrollin e Duhanit.
“Në ditën kur qytetaret shohin vendosmërinë e shtetit, për ta bërë të zbatueshëm një rregull qe bëhet për ta ruajtur shëndetin dhe jetën e tyre ata menjëherë ndryshojnë sjellje dhe e përqafojnë e mirëpresin. Duhanpirës dhe joduhanpirës po i shijojnë shërbimet e kafiterive tona pa tym duhani. Do ju dëshmojmë përkushtimin tonë në mbikëqyrje të zbatimit të ligjit të duhanit me tolerancë zero ndaj shkelësve. Për më tepër, përtej ndërgjegjësimit qytetar që është më se i dukshëm, urojmë të reflektojnë të gjithë ata që përpiqen që jo vetëm ta minimizojnë punën tonë, por edhe ta ulin poshtë vullnetin e qytetarëve për bashkëpunim”, ka thënë ai.