Lëvizja Vetëvendosje reagoi pasi Gjykata Themelore në Prishtinë aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për të revokuar fletarrestin për Milan Radojçiqin, një nga të dyshuarit në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
LVV thotë se Radojçiqi në gjithë këto vite sfidon ligjin dhe sovranitetin e integritetin e Republikës së Kosovës dhe se me veprimtarinë e tij terrorizon të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve.
LVV shton se kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës.
“Ky vendim i Gjykatës, i mbajtur heshtur, larg opinionit publik, përveç skandalit, përbën dhe rrezik e të panjohura. Si mund dikujt që i është përgatitur fletarresti për dyshime si i përfshirë në krim të rëndë t’i revokohet ai? Kush është Prokurori i Prokurorisë Speciale i cili paska kërkuar nga departamenti special pa asnjë argumentim të qëndrueshëm që të revokohet urdhërarresti për një ndër kriminelët më të mëdhenj të pasluftës? Kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës”, thuhet në reagimin e LVV.
LVV thotë se Prokuroria speciale dhe Gjykata Themelore duhet t’i shpjegojnë publikut të Kosovës se pse nuk u dashka arrestuar më një kriminel.
“Po ashtu i bëjmë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të veprojnë. Rasti në fjalë është skaji i pasigurisë që mundet të shkaktojë për rendin publik ata që duhet ta mbrojnë atë. I bëjmë thirrje po ashtu organeve të sigurisë dhe atyre ligjzbatuese të jenë vigjilente përballë kësaj ngjarje. Institucionet e drejtësisë duhet të përgjigjen se pse në vend se të ndjekin kriminelët paskan hequr dorë nga përndjekja. Këto bashkëpunime me krimin e organizuar tash në kohën e ndërrimit të qeverisë janë tërësisht të papranueshme dhe duhet të hetohen”, vijon komunikata.
LVV thotë se si qeverisje e ardhshme janë të përcaktuar qartë në funksion të sundimit të ligjit e triumfit të së drejtës.