UBT News

​Rekomandohet që nga 22 marsi të fillojë mësimi online në të gjitha nivelet e arsimit

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ka njoftuar se pas takimit me institucionet shëndetësore dhe arsimore, kanë shqyrtuar mundësitë e fillimit të mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi.

Shefi i Qeverisë në detyrë pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi dhe zëvendësministrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj, tha se kanë vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër Covid-19.

Hoti ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat antiCOVID.

“Edhe një herë kërkuam nga qytetarët që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të masave kundër Covid -19, që të ngrisin nivelin e angazhimit përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi”, ka shkruar ai.

Ai ka shkruar më tej në Facebook se Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinës COVAX, menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve./UBTNews

Exit mobile version