Kolegji i Gjykatës Supreme ka hedhur sot poshtë ankesën e organizatës joqeveritare GERMIN për verifikimin e aplikacioneve për regjistrim për periudhën e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.
Më 15.01.2021, organizata GERMIN i ka paraqitur ankesë kësaj gjykate, me të cilën konteston ligjshmërinë e vendimit të KQZ-së, duke propozuar që ankesa të pranohet dhe Gjykata Supreme të anulojë vendimin e KQZ të datës 11.01.2021, dhe vendimin e PZAP të datës 13.01.2021.
Në përgjigje të ankesës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, qëndroi në konstatimet e paraqitura në vendimin e vet, dhe propozoi që ankesa të hidhet poshtë si e palejuar.
Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të vendimit të atakuar pretendimeve ankimore dhe atyre në përgjigje në ankesë, shqyrtoi shkresat e tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e palejuar.
Nga shkresat e lëndës rezulton se me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të datës 13.01.2021, është vendosur të hedhen të palejuara apelet e datës 12.01.2021, i ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosja dhe të datës 12.01.2021, i ushtruar nga GERMIN, kundër vendimit të KQZ-së të datës 11.01.2021, që ka të bëjë me verifikimin e aplikacioneve për regjistrim për periudhën e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.
Në arsyetimin e tij, PZAP konstaton se kundër vendimit të KQZ-së, që ka të bëjë me verifikimin e aplikacioneve për regjistrim për periudhën e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, apelet janë të palejueshme, për faktin se me nenin 63 paragrafi 3 i LZP-së, përcaktohet se: “Vendimi i Komisionit nuk nënshtrohet ankesës, përveç nëse nuk parashihet qartë me këtë ligj”.
Apelimet zgjedhore ndaj vendimeve të KQZ-së, në PZAP, janë përcaktuar me nenin 122 paragrafi 1 pikat: a) b) c) d) e) dhe f) të LZP-së, në të cilat përcaktohet se: a) Përfshirjen ose largimin e një personi për të marr pjesë në programin votues brenda dhe jashtë Kosovës, b) Certifikimin ose kundërshtimin për të certifikuar një subjekt politik ose 3 kandidat për të marrë pjesë në zgjedhje; c) Kandidati i cili pas certifikimit nuk dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje: d) akreditimin ose refuzimin për akreditim të një vëzhguesi zgjedhor, e) vendosjen e një gjohe administrative ndaj një subjekti politik sipas nenit 42 të këtij ligji dhe f) Refuzimin për të regjistruar një parti politike brenda Zyrës.
Nga interpretimi i dispozitave të lartcekura rezulton se vendimet e KQZ-së, nuk janë të apelueshme përveç nëse parashihen qartë më ligj. Në këtë rast vendimi i apeluar i KQZ-së, nuk hynë në kategorinë e vendimeve të cilat mund të apelohen e të cilat janë të përcaktuara në mënyrë taksative në nenin 122 paragrafi 1 pikat a), b) c), d), e) dhe f), për arsye se vendimi i apeluar hynë në kategorinë e vendimeve të karakterit teknik menaxhues të KQZ-së, e i cili vendim është nxjerrë në pajtim të plotë me nenin 64 të LZPsë, e i cili vendim nuk prek apo cenon një të drejtë themelore të votuesve.