Një gjykatë norvegjeze refuzoi sot kërkesën për lirimin me kusht të vrasësit masiv Anders Bering Breivik dhe e urdhëroi atë të qëndrojë në burg.
Breivik, një neonazist antimysliman, vrau 77 njerëz në korrik 2011 në krimin më të keq në kohë paqeje në Norvegji. Ai vrau tetë njerëz në një makinë bombë përpara ndërtesës së qeverisë norvegjeze në Oslo, dhe më pas 69 të tjerë, kryesisht adoleshentë, në kampin veror të të rinjve të Partisë Laburiste në ishullin Utoja.
“Rreziku i dhunës është real, dhe i barabartë me atë që ishte kur u dha vendimi i parë kundër Breivik”, tha Gjykata e Qarkut Telemark në një deklaratë, raporton Reuters.
Breivik (42) po vuan një dënim maksimal prej 21 vjetësh burg, i cili mund të zgjatet për një kohë të pacaktuar në Norvegji nëse personi i dënuar konsiderohet si një kërcënim i vazhdueshëm për shoqërinë.
Në të njëjtën kohë, Breivik kishte një bazë ligjore për të kërkuar lirim me kusht pas vuajtjes së 10 vjetëve të para të dënimit, dhe më pas ka të drejtë të aplikojë për lirim një vit pas çdo refuzimi.
Pas arrestimit, Breivik tha se nuk e konsideronte veten fajtor, sepse luftoi për qëllimin e drejtë të mbrojtjes së qytetërimit evropian.
Sipas tij, ai nuk i urrente të huajt aq shumë sa “tradhtarët” midis bashkatdhetarëve të tij dhe zgjodhi kampin në Utoja si shënjestër sepse shërbeu si “një vatër nga e cila u përhapën idetë e dëmshme të multikulturalizmit dhe socializmit”, raportoi BBC.
Vrasësi tha se ëndërronte të kryente një sulm terrorist sipas modelit të Al Kaidës dhe të kapte dhe t’i priste kokën kryeministres së atëhershme së Norvegjisë Harlem Bruntland para kamerave.