Në Kosovë gjatë pandemisë janë shënuar 15 për qind më shumë të rasteve të dhunës në familje. Prokuroritë nuk arritën të zgjidhin rastet gjatë vitit 2020 për më shumë se 1 mijë e 200 persona. Ani pse Kosova ka legjislacion të mirë, në rastet e dhunës në familje ka dallim në trajtim, procedim dhe kualifikimin e veprës penale. Kështu thuhet në raportin me temën “Hetimet penale dhe politika ndëshkimore në rastet e dhunës në familje” të publikuar nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi.
Eksperti hulumtues, Lulzim Aliaj tha se raporti analizon më shume se 600 aktgjykime që përfshin të dhëna nga policia, gjyqësori e prokuroria.
“Nga të gjitha këto të dhëna vërehet që kemi një numër të madh të dhunës në familje e fenomenet e dhunës në familje janë trajtuar nga të gjitha këto aktgjykime, por ka dallime sa i përket trajtimit të tyre, procedimit, kualifikimit të veprës penale. Pra, ky është qëllimi raportit që të paraqesim numrin 2019 dhe vitin 2020 edhe gjitha aktgjykimet në mënyrë që të sensibilizohen të gjithë akterët dhe akti i dhunës në familje të sanksionohet sipas dispozitave ligjore”, ka deklaruar Aliaj.
Më tej, në prezantimin e këtij raporti, Aliaj ka shtuar se gjatë vitit 2020 ka pasur rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje.
“Në vitin 2019 kemi pasur 1 mijë e 828 raste të pranuara, kurse në vitin 2020 kemi pasur 2 mijë e 120 raste të pranuara. Do të thotë që kemi rritje të numrit të rasteve të pranuara. Kurse, sa i përket personave të paraqitur në raste kemi 2 mijë e 402 persona gjatë vitit 2019, ndërkaq në vitin 2020 kemi 2 mijë e 464 raste. Sa i përket rasteve të zgjidhura, në vitin 2019 kemi 1 mijë e 611 raste dhe në vitin 2020 kemi 1 mijë e 812 raste. Pra në bazë të këtyre rasteve, persona të trajtuar janë 2 mijë e 184 në vitin 2019 dhe 2 mijë e 155 persona në vitin 2020. Në përqindje nënkuptohet që numri i rasteve të dhunës në familje në vitin 2020 është rritur për 15 qind në krahasim me vitin 2019”, ka shtuar ai.
Prokuroritë nuk kanë arritur të zgjidhin rastet për mbi 1 mijë e 200 persona gjatë vitit 2020.
“88 për qind e rasteve të pranuara në vitin 2019 janë zgjidhur, ndërkaq në vitin 2020 janë zgjidhur 85 për qind e rasteve të pranuara. Pra, në vitin 2020 kemi një rritje të zgjidhjes së rasteve, 12 për qind më shumë se në vitin 2019. Gjatë vitit 2019 në të gjitha prokuroritë themelore në punë kanë qenë 3 mijë e 117 persona me kallëzime penale, prej të cilëve vetëm gjatë vitit janë pranuar 2 mijë e 402, kurse janë zgjidhur 2 mijë e 184 raste. Ndërsa nuk janë zgjidhur rastet për 933 persona. Kurse gjatë vitit 2020 nuk janë zgjidhur rastet për 1 mijë e 271 persona”, thuhet në raportin e INJECT.
Drejtoresha e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi (Inject), Luljeta Aliu ka thënë se barazia e drejtësia janë themeli i shoqërisë.
“Tematika e sotshme ka ardhur si rezultat i shqetësimeve tona si shoqëri pas disa lajmeve për një trajtim joprofesional, siç e kemi parë ne nga jashtë të rasteve të dhunës në familje. Ishte rasti i Pejës, për përdhunim ku dënimi ishte aq i vogël sa që ka ngjallur kritika të shumta në shoqëri, një debat të madh e ka ngritur. Ku më pas pati edhe suspendime, e nga kjo edhe raste të tjera ku ne shpesh herë kemi menduar që nuk kanë qenë meritore ose nuk kanë qenë vendime të drejta. Ekipet e kishin idenë që të hulumtojnë, të punojnë në këtë drejtim që të shohim se si po merren vendimet për rastet e dhunës në familje”, ka thënë ajo.
Në konferencën “Rritja e Transparencës së gjyqësorit dhe lartësia e dënimeve për rastet e dhunës në familje”, menaxheri i të dhënave mjedisore në Millennium Foundation, Agron Kelmendi shtoi se ky projekt vjen pas numrit të madh të rasteve të dhunës gjatë pandemisë.
“Ne përgjatë katër viteve arritëm të japim një kontribut sado të vogël dhe qëllimi i ynë nuk ishte që të krijojmë vetëm organizata të cilat do të shërbenin si gardianë të viktimave, në këtë rast të viktimave të dhunës në familje. Por, të krijonim po ashtu një model të bashkëpunimit në mes të shoqërisë civile dhe organeve vendimmarrëse, në mënyrë që këto të shërbenin si mjete komplementare në punën e tyre. Unë besoj që ky projekt pasi që kishte ardhur në kohën kur pandemia ishte në atë kohë dhe mendonim që mund të kishte rritur numrin e rasteve të dhunës në familje”, ka thënë ai.
Ky raport bazohet mbi të dhëna të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe vendimet e gjykatave themelore në lidhje me veprimet e zgjidhjet e rasteve dhe dënimet e shqiptuara gjatë viteve 2019-2020.