Vlora po pret këtë verë turistë nga e gjithë Evropa të cilët zgjedhin të zbulojnë bukuritë e fshehura të bregdetit jonian edhe përmes udhëtimeve me anije.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndau në rrjetet sociale përshtypjet e disa prej tyre, të cilët shprehen të befasuar prej mikpritjes, detit, por edhe plazheve “sekrete” të zbuluara gjatë udhëtimeve magjike me anije.
“Është hera e parë që vijmë në Vlorë. Erdhëm një natë më parë dhe është me të vërtetë një qytet i bukur, me plazhe të bukura dhe njerëz shumë të dashur. Gjatë mbrëmjes gjallërohet dhe na pëlqen shumë”, u shprehën dy turiste të huaja.
“Këtu në Vlorë është shumë bukur. Bëmë një udhëtim me anije turistike dhe pamë plazhe shumë të bukura edhe pse sot është shumë vapë. Po, temperaturat janë shumë të larta sot dhe ia vlente të ishe këtu në anije. Njerëzit dhe stafi ishin shumë të këndshëm. Njerëzit gjatë gjithë kohës ishin duke kërcyer në anije, të gjithë po argëtoheshin, pra ishte vendi i duhur për t’u vizituar”, thanë një çift turistësh të huaj.
Simon nga Austria tha se ndodhej në Vlorë prej dy ditësh dhe u kënaq shumë gjatë udhëtimit me varkë.
“Kemi ardhur këtu prej dy ditësh. Është shumë vapë tani, por shumë bukur dhe u kënaqëm shumë gjatë udhëtimit me varkë. Ishte shumë argëtues, ishim të sigurt. Pata një udhëtim të këndshëm dhe ishte një ditë e mrekullueshme”, tha ai.