Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të udhëtojë këtë të hënë drejt Brukselit, ku do të takohet me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.
Tensionet mes Kosovës e Serbisë dhe gjetja e rrugës për normalizimin e dialogut Prishtinë-Beograd, pritet të jetë në fokus të takimit mes Ramës e Michel.
Udhëtimi i kreut të qeverisë në Bruksel vjen pas propozimit të draft-asociacionit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy Kosovës e Serbisë.
Kujtojmë se më 8 qershor, kryeministri Edi Rama i ka dërguar një draft Presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si propozim për formimin e Asociacionit të komunave serbe.
Rama e konsideroi Asociacionin si “nyjën gordiane” të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, teksa shtoi se drafti është punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe europianë prej kohësh.
Sipas Ramës, drafti ishte dokument konfidencial dhe dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjitha rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Po ashtu, më 21 qershor, Rama u ka nisur sërish një letër presidentit Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të KE-së lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re konkrete.