Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është pritur në Mal të Zi me ceremoni shtetërore nga kryeministri Dritan Abazoviq.
Ndërkohë, pas prezantimit të dy delegacioneve, ka nisur mbledhja e përbashkët e dy qeverive, e cila është e dyta me radhë, e ku do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje bashkëpunimi.
Mbledhja po mbahet në ndërtesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi (CANU) në Podgoricë.
Në orën 13:00 pritet të bëhet nënshkrimi i deklaratës së përbashkët dhe marrëveshjes bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna. Përveç këtyre, do të nënshkruhen edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në fushat e: energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore, kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Dritan Abazoviq do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.