UBT News

​Rama: Porti tregtar i Durrësit, nyje strategjike me Perëndimin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se ambicia e tyre është që porti i ri tregtar i Durrësit të bëhet nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit tregtar me Perëndimin dhe me gjithçka tjetër përtej anës perëndimore dhe Ballkanit Perëndimor.

Gjatë prezantimit të projektit për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano nga studio prestigjioze holandeze “Royal Haskoning DHV”, Rama tha se “ky është një port që e çon bashkëpunim rajonal në një nivel tjetër”.

“Prandaj e kemi nisur këtë proces paralelisht në radhë të parë me Kosovën, ashtu siç kemi nisur punën me hekurudhën kemi mbështetur studimin e fizibilitetit për Portin e Thatë të Prishtinës dhe kemi bindur BE-në për të financuar Korridorin e 8-të”, tha Rama.

Rama theksoi se “Durrësi ka qenë prej shumë shekujsh i konsideruar si taverna e Adriatikut dhe ka pasur një përmasë të rëndësishme falë rrugës Egnatia që, e ktheu Durrësin në limanin më të rëndësishëm në Mesdhe”.

“Thënia e vjetër që nga Perandoria Romake se ‘të gjitha rrugët të çojnë në Romë’ falë ‘Royal Haskoning DHV’, do të bëjë që të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor të çojnë në Durrës. Sot jemi në shekullin XXI dhe jemi vonë. Po të kishte nisur kjo punë 30 vite më parë, sot do ishim duke marrë frytet. Por kjo punë nis sot sepse janë pjekur kushtet që të kemi një port tregtar të denjë për shekullin e XXI”, tha ai.

Kryeministri siguroi se “Durrësi, duke filluar nga integrimi me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes Prishtinës dhe Strugës do t’i japë këtij rajoni një fytyrë dhe kapacitet krejt tjetër”.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur sot se gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano, në Durrës do të hapet në fund të muajit janar të vitit që vjen.

Balluku theksoi rëndësinë e këtij projekti jo vetëm për vendin tonë por edhe atë të rajonit, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Projekti për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano është bërë nga studio holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjetike, minerare, industriale, si edhe zhvillimeve urbane e rurale.

“Një vepër me rëndësi kombëtare në funksion të tregut të përbashkët rajonal, projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit, integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut”, deklaroi Balluku.

Balluku shtoi se pritshmëritë janë që të nisë zbatimi i projektit në Porto Romanos brenda vitit 2023.

“Përmes dy investimeve madhore, portin tregtar të Durrësit dhe nga ana tjetër Ballinën ujore dhe Marina Yacht e Durrësit, po ndërtojmë një kompleks portual Durrës-Porto Romano, tërësisht të modernizuar, ku të gjitha terminalet dhe infrastruktura detare janë në pronësi shtetërore dhe ku Autoriteti Portual i Durrësit do të mbikëqyrë dhe organizojë aktivitetet e koncesionarëve dhe operatorëve. Është një projekt strategjik që do të mbulojë nevojat dhe volumet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, por edhe vendeve te tjera të rajonit që do të kenë dëshirë të operojnë përmes këtij porti për 4 dekadat e ardhshme”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku.

Sipas Ballukut, në këtë industri prej 390 milionë eurosh, ku pritet të punësohen 1500 vetë, vëmendje e posaçme i është kushtuar ndërlidhjes rrugore dhe hekurudhore me një hekurudhë të brendshme, e cila lidh terminalet dhe me 8 km hekurudhë që lidh portin e Durrësit në Porto Romano me hekurudhën qendrore, atë të Tiranë-Durrës, duke i dhënë akses, si për linjat që do të ndërtohen në veri dhe ato në juglindje.

“46 % e vlerës së këtij projekti do të mundësohet nga qeveria shqiptare dhe 54 % financim që do të sigurohet nga kompania ndërtuese. Kjo do të dalë përmes një garë ndërkombëtare. Kjo kredi do të rimbursohet nga Autoriteti Portual, pa ndikuar në buxhetin e shtetit. Në fund të janarit 2023, ne do të jemi të gatshëm për të hapur garën ndërkombëtare. Procesi sipas parashikimeve do të mbyllet në korrik 2023”, deklaroi Balluku.

Sipas saj, ky investim ka marrë vëmendjen e shumë kompanive ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi mori pjesë sot në prezantimin e projektit të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano.

Në fjalën e tij, Grubi foli për projektet e mëdha mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si ndërtimi i autostradës Shkup-Qafë-Thanë, linjën hekurudhore Shkup-Kërçovë-Pogradec-Durrës dhe bashkimin e kontrolleve kufitare.

“Po ndërtojmë autostradë me 6 korsi nga Shkupi në Qafë-Thanë që do zvogëlojë distancën Shkup-Tiranë me 2.5 orë, Shkup-Vlorë në 3 orë. Për të patur qasje në port, po planifikojmë linjën hekurudhore Shkup-Kërçovë-Pogradec-Durrës. Në janar, bashkojmë dy kontrollet tona kufitare në një të vetëm me synimin për të hequr përfundimisht kufijtë mes nesh dhe shpresojmë që këtë ta bëjmë me Kosovën gjatë vitit të ardhshëm. Po ndërtojmë edhe linjë interkonjunktive energjetike midis nesh me dy projekte stacionin në Ohër dhe linjën e tensionit të lartë Manastir-Elbasan”, tha Grubi.

Zv.kryeministri maqedonas nënvizoi se risia e këtyre projekteve është ndërtimi i portit të thatë në qytetin e Strugës.

“Një risi që bashkë me Kryeministri Ramë e diskutuam në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive ishte ndërtimi i një porti të thatë në qytetin e Strugës. Një dimension i ri dhe kreativ komunikimi që padyshim do të kontribuojë në shkëmbimin tregtar mes dy vendeve dhe është pjesë e pandarë e ndërtimit të Porti të Ri të Durrësit. Erdhi dita që këtë ide ta formatizojmë sot edhe me firmosjen e marrëveshjes për realizimin e saj. Qofshin të shumta projektet e përbashkëta me vendet tona”, tha ai.

Para të pranishmëve ka folur edhe ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu.

Exit mobile version