Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas vizitës në Hagë te ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet.
Ai tha se takimi me Thaçin, i cili po akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me pretendime për krime lufte, ishte një çmallje e nevojshme dhe se ai ishte në top formë.
“Ishte një çmallje e nevojshme. Presidentin Thaçi e gjeta në top formë, i bindur mbase edhe më shumë se kur e kam takuar para se të vinte këtu se kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipisht para drejtësisë pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht edhe pastërtinë e idealit të luftëtarëve të UÇK-së dhe udhëheqësve të UÇK-së. Nuk ka shumë për të thënë, natyrisht se të gjithë ne jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe nuk mund kurrsesi të futet në kornizat të tjera. Pasi ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave, gjakut të dhënë dhe natyrisht gjitha përpjekjeve që kanë vijuar për Kosovën e lirë, demokratike dhe sovrane”, tha ai.