Pas samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se për sanksionet ndaj Rusisë duhet të vendos NATO, e jo Shqipëria.
Ai nuk e sheh rrezikun që kriza e Ukrainës të zhvendoset në Ballkan, por siç tha Rama, në rast të shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore nuk do të mund ta evitojnë. Mes tjerash, është pyetur edhe për iniciativën “Open Ballkan” dhe pozicionimin e Serbisë në këtë situatë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia është një situatë tragjike, por edhe zhvillim, i cili ka sfiduar gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë.
“Është një situatë tragjike, por nga ana tjetër është një zhvillim i cili ka sfiduar gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë, të gjithë ngrehinën institucionale duke goditur themelin e saj, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar. Mu duk e udhës të zhvillonim këtë konferencë të jashtëzakonshme për të folur pak më shumë për implikimet e kësaj lufte mbi Shqipërinë, e cila shumë nga vendet e ndryshme të NATO-s, nuk ka varësira të konsiderueshme të natyrës ekonomike apo tregtare me Rusinë, por sidoqoftë nuk është krejt pa lidhje, qoftë me Rusinë, qoftë me Ukrainën që urojmë dhe shpresojmë të kthehet në normalitet, por është shumë larg sot nga normaliteti”, ka thënë Rama në konferencë.
Ai është pyetur edhe për vendosjen e sanksioneve për Rusinë, ku tha se e gjithë aleanca e NATO-s duhet të bëjë një gjë të tillë.
“Është e vërtetë që sanksionet e Shqipërisë ndaj Rusisë janë i-relevante në aspektin e volumit. Nuk është Shqipëria që vë sanksione ndaj Rusisë, është gjithë aleanca që bie dakord të vendosi sanksione. Shqipëria është pjesë e kësaj aleance dhe nuk ka diskutim që i përqafon të gjitha vendimet e aleancës. Të njëjtën gjë bëjnë edhe vendet të cilat janë të lidhura me aleancën, pavarësisht që nuk janë anëtare të aleancës. Siç është Kosova. Ne besojmë që nga hulumtimi që kemi bërë që nuk do të kemi efekte shumë shqetësuese”, u shpreh Rama.
Ndërkaq, sa i përket “Open Ballkan” dhe mundësisë për rishikimin e marrëdhënieve me Serbinë pas qëndrimit të saj neutral përballë ofensivës ruse, Rama tha se situata do të shihet hap pas hapi.
“Një qëndrim i dyjëzuar tipik për politikën e jashtme serbe. Ndërkohë që sot çka po diskutojmë është goxha më e rëndësishme. Ndërsa, sa i përket ecurisë të mëtejshme të Ballkanit të hapur kjo është çështje që pret dhe nuk kemi asnjë urgjencë për të nxjerrë konkluzionet. Sepse do të shikojmë në vijim shumë gjëra për të parë. Jo në raport me Serbinë, por në raport se si do të zhvillohet ky proces. Sepse sot jemi në kushtet që nga ora në orë, por mund të shohim lidershipin e zgjedhur demokratik të Ukrainës të vrarë apo të marrë peng. Mund të shikojmë vendosjen e një qeverie kukull atje, mund të shikojmë një vend që kalon në një botë tjetër komplet duke u kontrolluar ushtarakisht. Nga ana tjetër ka filluar vendosja e sanksioneve dhe do të duhej të shikojmë dinamikat dhe si do të sillen vendet e aleancës , BE, ShBA-të me vendet tjera që janë neutrale me dy këndvështrime”, tha ai në konferencën e mbajtur pasditen e së premtes.
Kreu i ekzekutivit në Shqipëri deklaroi se situata në Ukrainë është luftë reale dhe se ka impakt në ekonomi.
“Është luftë reale, nuk është dokumentar apo playstation apo ngjarje që ndodhë në një kontinent tjetër. Është luftë reale në dyert e Bashkimit Evropian. Dhe në shumë vende të BE-së kanë shumë aktivitet në Rusi. Që do të thotë që gjithë këto sanksione krijojnë shtrëngesa të cilat natyrisht reflektohet jo thjeshtë në jetën ekonomike të atyre vendeve që kanë drejtpërdrejt marëdhënie të tilla, por edhe vendeve të tjera që janë në marëdhënie me to”, tha kryeministri shqiptar.
Më tej, ai potencoi se anketimet që qeveria bën vazhdimisht, tregojnë se ka një pjesë njerëzish se janë të shqetësuar se kjo luftë do të vijë në Shqipëri dhe se nuk janë të pajisur me avionë.
“Shqipëria është një vend anëtar në NATO që ka një sërë prioritetesh të vetat të koordinuara për bukuri me aleancën. Ka një plan të vetin të fuqizimit të ushtrisë, ka sot investim që po kryhet për një bazë ajrore të NATO-s, që do të kemi avionët e NATO-s aty. Në këtë aspekt nuk ka shqetësime. Sigurisht që nëse Lufta e Tretë Botërore shpërthen atëherë as nuk e parashikojmë dot, as nuk e evitojmë dot nëse të tjerët e nisin, njësoj siç nuk e parashikojmë dot kur dalim nga shtëpia ndodhë diçka”, ka deklaruar ai.
Rama është zotuar se Shqipëria është e gatshme për të strehuar qytetarët ukrainas që largohen lufta.
Në konferencën e sotme, ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka foli dhe për një komunitet të vogël shqiptarësh atje, por kontaktet e qeverisë shqiptare tha se kanë qenë me 4-5 prej tyre, të cilët kanë kërkuar asistencë për t’u larguar.