Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me siç ka thënë ai ngritjen e çmimeve të tatimit në pronë.
“Për të evituar hutinë e shkaktuar nga deklaratat e nxjerra deri më tash, dëshiroj ta bëj më se të qartë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit, të cilët janë ata që direkt preken nga ky proces. Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njëjtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë”, ka shkruar ai në Facebook.
Banorët e qyteteve të Kosovës kanë shprehur pakënaqësi dy ditët e fundit se tatimi në pronë për vitin 2023 u ka ardhur dyfish më shtrenjtë në krahasim me vitin 2022. Komunat e Kosovës kanë bërë përgjegjës për rritjen Ministrinë e Financave për vlerësimin e ri të pronave, ndërsa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës ka thënë se me këtë vlerësim “komunat kanë qenë të pajtuara”.