Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se problemet e deritanishme të pritjes në kufi nuk duhet të përsëritën këtë sezon vere. Gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Rama ka propozuar edhe mbajtjen e një Kuvendi të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë për shënimin e 110-vjetorit të ngritjes së flamurit shqiptar.
Rama ka thënë se janë të pajustifikueshme kontrollet një për një të veturave që udhëtojnë drejt Shqipërisë gjatë sezonit turistik veror.
“Dua t’i kujtoj ministrat e brendshëm të pranishëm këtu se kemi një protokoll të nënshkruar në prill 2019 në Morinë, që shërben si udhëzues shumë i qartë për kalimin praktik të kufirit. Besoj që kryeministri është dakord me mua që në këtë sezon është e palejueshme dhe e pajustifikueshme që të kemi më probleme të natyrës që kemi pasur deri vjet, dhe radha të pafundme për shkak të kontrolleve një për një makinave që vinë drejt Shqipërisë”, ka thënë Rama.
Ai ka folur edhe për projektin e portit të Durrësit, për çka ka thënë se është me rëndësi strategjike ku ka të integruar edhe hekurudhën Durrës-Prishtinë.
“Kemi ardhur me përfaqësues të kompanisë globale për të prezantuar studimin e portit të Durrësit, i cili faktikisht shtrihet nga Durrësi në Prishtinë, me portin pritës në Durrës dhe me portin e Thatë të Prishtinës, çka përbën një projekt me rëndësi strategjike i cili ka brenda të integruar edhe hekurudhën Durrës-Prishtinë për të cilën ne kemi filluar punën konkretisht me studimin përkatës bashkërisht dhe besojmë që duke e shtyrë bashkërisht këtë projekt të madh të portit të ri me portin e thatë të Prishtinës dhe portin e Durrësit të integruar me hekurudhën dhe me portin ushtarak bazë të ANTO-s të re, në mesdhe në Durrës, gjë për të cilën ne kemi filluar kontaktet me NATO-n, jemi në një situatë tërësisht tjetër për 19 vjetarët e ardhshëm”, ka thënë Rama.
Mbledhja e përbashkët në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë sivjet po mbahet në Prishtinë nën llogon “Të përbashkuar”. Por sipas Ramës, kjo merr më shumë kuptim me organizmin e një Kuvendi të përbashkët, me deputetët e parlamenteve nga të dy anët e kufirit.
“Dhe e fundit kryeministër, sepse në pjesën tjetër të optimizmit që kthehet në entuziazëm e ke merak vet, në funksion të optimizmit që kthehet në entuziazëm unë do të propozoja që duke qenë se jemi në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit të pavarur të Shqipërisë, ne të kishim në nëntor të parin Kuvend të përbashkët, me të dyja parlamentet e mbledhura në një dhomë ku na u dha mundësia dhe po ra dakord të na jepet edhe në të dyve privilegji të adresojmë në këtë dhomë të përbashkët të kuvendit. Nëse bashkërisht arrijmë të bindim të dy kryesitë e kuvendeve që të kemi këtë kuvend të përbashkët, atëherë japim mesazhin për të gjithë ata që lexojnë sloganet e mbledhjeve që këto nuk janë slogane bosh”, ka thënë ai.
Rama ndër të tjera ka thënë se volumi i shkëmbimeve tregtare në mes të dy vendeve është rritur nga 160 milionë në 433 milionë euro. Ai gjithashtu ka thënë se në Shqipëri rezultojnë të regjistruara 1 mijë e 225 subjekte biznesi nga Kosova, 1 mijë e 81 prej të cilave janë pronësi qind për qind e subjekteve të këtushme, ndërkohë të tjerat pronësi e përbashkët me partnerë në Shqipëri.
Rama ka thënë se investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017, ishin 9 milionë euro, ndërsa në vitin 2021, 139 milionë euro.