UBT News

​Rama: “Ballkani i Hapur” s’do të ndalet, është interes strategjik i shqiptarëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” s’do të ndalet asnjëherë, pasi është interes i gjithë shqiptarëve.

Në konferencën e përbashkët për medie në samitin e Tiranës, Rama tha se vendet refuzuese të kësaj iniciative po humbasin kohë, pasi ndërkohë do t’i bashkohen.

“Ajo që ndryshon me Ballkanin e Hapur është se nuk ka nevojë për konsensus, kush do të vrapoj vrapon, kush do të eci ecë, kushdo që rrinë vend rri, kushdo që dëshiron të kërcejë në vend kërcen dhe kushdo që kthehet prapa kthehet. Të gjithë janë të lirë të bëjnë atë që duhen. “Ballkani i Hapur” nuk ndalet dhe është interes strategjik i Shqipërisë dhe shqiptarëve përtej interesit të përbashkët rajonal. Do të vijnë në “Ballkanin e Hapur”, por vetëm do të humbasin më shumë kohë”, tha ai.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se “Ballkani i Hapur” s’ka të bëjë asgjë me ish-Jugosllavinë dhe duke ironizuar tha se para se të mësojë serbisht, dëshiron të mësojë gjuhën gjermane.

“Duke qenë së nuk kam qenë asnjëherë në Jugosllavi dhe “Ballkani i Hapur” s’ka të bëjë asgjë me Jugosllavinë, ndoshta Aleksandri do që të mësojë shqip, por unë para se të mësoj serbisht dua të mësoj gjermanisht për shembull”, tha ai.

Exit mobile version