UBT News

​Rama akuzon PD-në për “thika pas shpine” ndaj Kosovës, ka një mesazh edhe për Prishtinën

Kuvendi i Shqipërisë është duke diskutuar rreth “projektrezolutës mbi pabazueshmërinë e pretendimeve lidhur me trafikimin e organeve në Shqipëri dhe në Kosovë” pretendime të ngritura në raportin e hartuar nga Dick Marty e i propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

Rama ka pasur një përgjigje edhe për zyrtarët në Prishtinë të cilët kërkojnë që Parlamenti i Shqipërisë përmes një rezolute të dënojë gjenocidin serb në Kosovë.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama akuzoi Partinë Demokratike të Shqipërisë për “thika pas shpine” ndaj Kosovës, ndërsa iu përgjigj edhe kërkesave që duhet dënuar edhe gjenocidi serb në Kosovë duke thënë se kjo do të ndodhë pas dakordësisë me aleatët ndërkombëtarë dhe jo kur dëshiron “PD dhe ata në Prishtinë”.

Rama tha se sa herë që PD ka patur një krizë e që iu është dashur ta kapërcejnë e kanë futur mes viktimat e Kosovës.

Cilin gjenocid doni ju të aprovojë Parlamenti i Shqipërisë meqë thoni keni frikë. E keni harruar ju? Unë se kam harruar për vete, ne nuk e harrojmë që ai shtet i lirë dhe sovran, demokratik është krijuar nga ata, pa të cilët as ju, as ata në Prishtinë, nuk duhet të bëjnë asnjë hap, asnjë hap. Nëqoftëse ju dhe ata në Prishtinë doni të bëni hapa të tillë, bëjini. Po për sa kohë do të jemi ne që qeverisim këtë vend, ne nuk do të t’i bëjmë. Sepse përpara sa të kuturisemi ne të ndërmarrim një hap të tillë në 2022 për të zgjidhur problemet midis foltores dhe gojores duhet dakordësia e aleatëve tanë, se nuk mund të bëhemi ne si foltorja dhe si gojorja në sy të botës dhe në sy të asaj bashkësie demokratike pa të cilën nuk do të kishte Kosovë fare, as të pavarur, as demokratike, as autonome. Këta jeni ju”, deklaroi Rama para deputetëve.

Rama tha se zanafilla e raportit të Dick Martyt është vota e Partisë Demokratike në Këshillin e Evropës , përkundër votës së Damian Gjiknurit dhe Shpëtim Idrizit kundër këtij raporti.

Dick Marty ia keni hapur rrugën ju. Po kështu, hajdeni këtu dhe thoni se çfarë mendoni për Hashim Thaçin, është mirë aty ku është në burg? Këto shikoni ju sepse thikat që ju keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke e masakruar UÇK si terrorist, e si marksist-leninist, e dreqi me të birin deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën e duke ia ngulur mu në gjoks presidentit të Kosovës, i përkasin historisë, ju as nuk i shlyeni dot, as nuk i zhbëni dot, as nuk i mbuloni dot. Historia do të tregojë se ju patriotet e mëdhenj jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës dhe kështu keni qenë gjithmonë dhe kështu do të mbeteni sepse bishti i shtrembër nuk drejtohet”, përfundoi Rama.

Exit mobile version