Rahoveci ka përkujtuar dëshmorët Visar Hoti dhe Safet Latifi nga fshati Ratkoc, në 24-vjetorin e rënies së tyre.
Janë bërë homazhe dhe vendosur lule pranë pllakës përkujtimore në bjeshkët e fshatit Zatriq, nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi dhe familjarë e ish-bashkëluftëtarë të dëshmorëve. Latifi ka thënë se këto janë dy figura historike për vendin.
“Lufta e armatosur çlirimtare ishte edhe vetëdije, bindje, përcaktim dhe gjithë rrugëtimi i këtyre dy dëshmorëve, bashkëluftëtarëve tanë ishte rrugëtim i vështirë, i vetëdijshëm, i ndërgjegjshëm, deri me 18 prill ata kaluan nëpër sprova, beteja të shumta duke u dëshmuar si luftëtar të devotshëm, si luftëtar që edhe përballë rreziqeve nuk kursyen mundin e djersen, dhe me 18 prill as gjakun, për të dhënë mesazhin se liria po vjen dhe jo më shumë se dy muaj e gjysmë liria vërtetë erdhi, por nuk erdhi pa gjakun e Safetit, Visarit, pa gjakun dhe sakrificat e flijimit e shokëve të tyre. Këtu në Zatriq me 18 prill në mëngjesin e hershëm ka pas një përballje të pabarabartë, një luftë ne afërsi, një betejë thuajse fyt për fyt dhe e rëndësishme është se këta nuk u vranë nga afërsia, për shkak se forcat serbe sado që ishin të përgatitura nuk arritën as t’i kapin të gjallë e as t’i vrasin nga afër, por t’i vrajnë nga larg”, ka thënë Latifi.
Ndërsa ish-bashkëluftëtari i dëshmorëve, Isuf Gashi, 18 prillin e ka quajtur ditë historike.
“Kjo është datë historike dhe heroike. Ata dy burra këtu kanë bërë luftë si me qenë dragonj te pabarabartë me pushtuesin dhe le ta dinë të gjithë se çdo gjë te keqe që ka bërë Serbia e ka rikthyer në binaret e duhur UÇK-ja. Këtu janë bërë luftime te rrepta, por qëndrueshmëria e Safetit, Visarit dhe e shokëve të tjerë ka rënë një fortesë e fuqishme këtu dhe kanë bërë mbrojtje edhe për popullatën. Dhe tash pas 25 viteve, dashakeqët që ka pas një numër të vogël, ende e gjurmojnë të kaluarën, mirëpo ne duhet me qenë mirënjohës edhe për baballarët tanë. Ne do te shkojmë, por lufta e Visarit, Safetit dhe shokëve të tyre do të jetojë sa të është njerëzimi”, ka thënë Gashi.
Bijtë e tyre i kanë përkujtuar edhe Mustafë Hoti dhe Latif Latifi.