Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj tha se deri tek aksioni i sotëm policor në Karaçevë ku u rrënuan tri objekte të lojërave të fatit, kanë ardhur pas një hulumtimi të gjerë.
Rahimaj tregon se ky aksion u zhvillua në bashkëpunim me organet e Policisë dhe Prokurorisë në Gjilan.
“Jemi interesuar që këto ndërtime, të cilat nuk kanë pasur leje për ndërtim e që ka pasur vendim për rrënim, kemi asistuar bashkë me Policinë dhe organet e Prokurorisë sot gjatë aksionit. Janë demoluar objektet, të cilat nuk kanë pasur leje të ndërtimit”, thotë ai për KosovaPress.
Në fshatin Karaveçë, i cili ndodhet mes kufirit Kosovë-Serbi edhe vitin e kaluar ishin rrënuar 12 objekte ku ushtrohej veprimtaria e lojërave të fatit. Rahimaj thekson se kanë pasur informacionin që kazinotë janë duke u zhvilluar për herë të dytë.
“Jemi të interesuar që ne ta luftojmë këtë dukuri qysh në fazat fillestare dhe mos të lejojmë që këto kazino të ndërtohen në nivelin si janë ndërtuar tash. Ne po angazhohemi që të parandalojmë para se të fillojnë ndërtimin e objekteve”, shton Rahimaj.
Ai tregoi se është bërë një hulumtim i gjatë e më pas kanë ardhur tek aksioni i sotëm.
Në aksionin e vitit të kaluar ishin rrënuar 12 objekte që ushtronin veprimtarinë e lojërave të fatit. Tashmë janë ngritur më shumë se 70 kallëzime penale për këtë rast.