Kryeministri Albin Kurti zbuloi mbrëmjen e së martës fjalët e presidentit serb Aleksandër Vuçiq në takimin e 2 majit në Bruksel, kur u nënshkrua Deklarata për të Zhdukurit që po nuk po respektohet nga Serbia.
Aty Vuçiq kishte thënë se “Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve” dhe Kurti tregon se ku ishte qëllimi i ish-ministrit të Millosheviqit të dielën e 24 shtatorit, por që sipas kryeministrit, Vuçiq si diktator nuk e kupton historinë.
“Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në ‘Kullë të Jasharajve’ për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen”, shkroi Kurti.
Autoritetet në Kosovë nxorën prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojçiq si udhëheqës të grupit terrorist që sulmoi policinë e Kosovës, e ëpr pasojë humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku. Radojçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
Gjithashtu, Kurti shkroi se serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga veglat terroriste të Serbisë dhe të integrohen në Kosovë në mënyrë që të jetojnë më mirë.
“Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë”, tha Kurti.