UBT News

​Qytetarët e vaksinuar edhe me dozën e dytë bëjnë thirrje për vaksinim

Rritja e numrit të rasteve të vdekjeve por edhe atyre pozitive me COVID-19 ka bërë që shumë qytetarë të marrin vaksinën antiCOVID-19.

Qytetarë të shumtë u panë edhe gjatë së hënës në qendrën e vaksinimit tek salla “1 Tetori” në Prishtinë. Thuajse secili nga ta tashmë kishin marrë dozën e dytë të vaksinës antiCOVID-19.

Ata kanë bërë thirrje për vaksinim duke thënë edhe duhet hedhur poshtë gjitha pretendimet rreth marrjes së vaksinës.

Qytetari Heset Hasani i cili mori dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 për KosvaPress ka treguar se ai nuk ka pasur komplikime siç janë ngritur në opinion. Hasani u bëri thirrje qytetarëve që të lënë anash gjitha pretendimet dhe të marrin vaksinën që në këtë mënyrë të sigurojnë shëndetin e tyre, familjes dhe gjithë rrethit.

“Kjo është doza e dytë dhe gjithçka ka shkuar në rregull. Dozën e parë kur e kam marrë kur kom aplikuar dhe brenda tri dite e kam marrë dozën e parë, kom ardh këtu për 15 minuta e kom kry kurrfarë reni as kurrgjë s’kam prit, s’kam pas komplikime[…]Shumica frikësohen pa nevojë, marrin njëfarë traume pa pas kurrfarë nevoje, nuk ke nevojë me marrë traumë, nuk është asgjë kjo, e merr vaksinën e siguron vetën, e siguron familjen, i siguron gjithë qytetarët,” ka thënë ai.

Gjithçka i shkoi mirë me marrjen e vaksinimit edhe Meredin Muratit. Ai tha se gjithsecili duhet të largoj friken për marrjen e vaksinës.

“Jam vaksinuar me dozën e dytë, gjithçka ka qenë mirë, perfekt ka qenë. Këtu nuk ka kurrfarë frike, gjithë bota është duke i marrë, veç shqiptarët kanë frikë; “Mos i merr, mos i merr”. Qeveria s’mundet as kënd personal në shtëpi me vaksinu, ata vet duhet ta dinë këtë,” ka thënë ai.

Kurse qytetari tjetër, tha se nuk ka pas probleme gjatë vaksinimit. E që shton se shihet se si është përhap virusi e që duhet të vaksinohen qytetarët.

“Jam vaksinu për herën e dytë, nuk kam pasë problem as herën e parë. Mjekësia nuk janë të padijshëm, ata bëjnë thirrje tek të gjithë se duhet me u vaksinu, po shihet qysh është përhap vaksinonu, po i them çdo kujt”, ka treguar ai.

Në raportin e fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se janë dhënë 19 mijë e 526 doza të vaksinës kundër COVID-19. Kurse prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 922 mijë e 623 doza të vaksinës. Sipas vendimit të qeverisë, nga data 13 shtator vaksinimi do të fillojë edhe ditëve të diela.

Exit mobile version