Partia Socialdemokrate i ka kërkuar ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, të zgjohet nga gjumi, pasiqë sipas tyre ai nuk po përmbush asnjë nga premtimet e tij.
Përmes një aktiviteti simbolik para Ministrisë së Shëndetësisë, PSD i lëshuan një alarm ministrit Latifi, për siç thanë t’i kthehet punës.
Anëtarja e kryesisë së PSD-së, Natyra Kuçi tha se gjendja në shëndetësi është e rëndë.
“Ministri Latifi nuk e ka përmbushur asnjë prej premtimeve të veta. Thoshte se ditës duhet t’i zgjasim edhe dy orë në mënyrë që të kemi 26 orë për punë. Ne e kemi vetëm një kërkesë për ministrin Latifi, le të zgjohet nga gjumi dimëror që ka rënë. Le të zgjohet dhe sheh se ne i kemi 48 anesteziologëve në vend të 120, kemi mungesë 4000 infermierëve, nëse krahasomi me dy vendet fqinje. Pra kemi 240 mjekë që kanë ikur këto dy vite. Le të tmerrohet ky ministër nga mungesa e barnave, infrastrukturës dhe aparateve për të kryer operacione, analiza dhe funksionuar një spital normal”, tha ajo.
Ndërkohë, ironizoi me ministrin Latifi, për udhëtimet e tij të shpeshta jashtë Kosovës.
“Nuk po themi që të zgjohet dhe nuk po i lëshojmë alarm për të zënë aeroplanin, pasi atë zile nuk po e harron asnjëherë. Ai është nga fluturimi në fluturim, por duke qenë se gjendja është emergjente në Kosovë, ne po e lëshojmë një alarm dhe po i themi ministrit qu prej gjumi, qu dhe puno”, shtoi ajo.
Edhe javën e kaluar, PSD ka mbajtur një aksion simbolik, ku i shtruan tepihun e kuq ministrit Latifi.